GJYKATA NË GJILAN LËSHON URDHËR-ARREST NDËRKOMBËTAR NDAJ ARBENITA ISMAJLIT
Written by radio wave on August 14, 2025
Gjykata Themelore në Gjilan ka lëshuar urdhër-arrest dhe letër-rreshtim ndërkombëtar për Arbenita Ismajlin, pas një kërkese të bërë nga Prokuroria Themelore e këtij qyteti. Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin Sabit Shkodra, udhëheqës i Zyrës për Informim dhe Komunikim me Media në Gjykatën e Shkallës së Parë.
“Po, është e vërtetë që kemi lëshuar urdhër-arrestin dhe letrën e rreshtimit ndërkombëtar. Në ditën që është bërë kërkesa nga ana e Prokurorisë, Gjykata ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, konform kompetencave ligjore dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi”, deklaroi Shkodra.
Hetimet ndaj Ismajlit nisën në qershor të këtij viti, pasi dyshohet se ajo nuk ka zbatuar një vendim gjykate për takimet e vajzës së saj me babanë biologjik, Feronit Shabani. Sipas aktvendimit, babai kishte të drejtë të takonte vajzën dy herë në muaj përmes Qendrës për Punë Sociale në Gjilan. Prokuroria pretendon se Ismajli ka penguar zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
Më 10 korrik 2025, Prokuroria ngriti aktakuzë ndaj saj për veprën penale “Marrja apo mbajtja e kundërligjshme e fëmijës” dhe “Mospërfillje të gjykatës”. Sipas hetimeve, nga shtatori 2024 ajo dyshohet se ka larguar vajzën nga Kosova dhe ka qëndruar me të në disa vende të Evropës dhe Lindjes së Afërt, duke ia pamundësuar babait ushtrimin e të drejtës prindërore.
Ndërkohë, e njëjta prokurori ka ngritur aktakuzë edhe ndaj Feronit Shabanit për tri vepra penale: dhunë në familje, ngacmim seksual dhe kanosje, të cilat pretendohet se i ka kryer ndaj Arbenita Ismajlit në periudhën qershor–tetor 2024.