KONCERTI “GRACE FOR THE WORLD” NË VATIKAN, KAROL G BËN HISTORI SI E PARA ARTISTE LATINE NË SHESHIN E SHËN PJETRIT
Written by radio wave on September 16, 2025
Mbrëmjen e së shtunës, më 13 shtator, Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan u shndërrua në një skenë unike ku muzika u kthye në urë të unitetit gjatë koncertit madhështor “Grace for the World”, i cili shënoi mbylljen e Takimit Botëror për Vëllazërinë Njerëzore.
Spektakli, i hapur për publikun dhe i transmetuar drejtpërdrejt, mblodhi emra të njohur të muzikës botërore si Pharrell Williams, Andrea Bocelli, BamBam, John Legend, Jennifer Hudson e shumë të tjerë.

Por momenti që tërhoqi vëmendje të veçantë ishte performanca e këngëtares kolumbiane Karol G, e cila hyri në histori si e para artiste latine që ka performuar ndonjëherë në Vatikan.
Me një karrierë mbi një dekadë dhe hite të njohura botërisht si “Tusa”, “Provenza” dhe “Milagros”, Karol G solli energjinë e saj të veçantë në skenë, ndërsa surprizoi publikun edhe me një version special të këngës “Vivo per lei” në duet me Andrea Bocellin. Ky moment ndërthurte muzikën urbane me atë klasike e shpirtërore, duke emocionuar të pranishmit.

Kjo paraqitje shënoi jo vetëm një sukses personal për Karol G, por edhe një dëshmi të fuqisë së artit për të bashkuar kultura, gjenerata dhe stile të ndryshme në një hapësirë me simbolikë të thellë shpirtërore.