LORDE ANULON KONCERTIN NË LUKSEMBURG, ja arËsyeja…
Written by radio wave on November 11, 2025
Këngëtarja e njohur neozelandeze Lorde është detyruar të anulojë koncertin e saj në Rockhal të Luksemburgut, vetëm pak orë përpara daljes në skenë, për shkak të një helmimi të rëndë ushqimor.
Artistja 29-vjeçare, e njohur me emrin e vërtetë Ella Yelich-O’Connor, njoftoi përmes një postimi në Instagram se ishte “shumë e sëmurë” dhe “mezi qëndronte në këmbë”.
“Luksemburg, më vjen shumë keq t’ju njoftoj se u helmova pamëshirshëm nga ushqimi dhe jam ende shumë e sëmurë për të performuar. Kam pushuar gjithë ditën, por mezi ngrihem në këmbë, dhe ju meritoni më shumë,” – shkroi ajo, sipas DailyMail.
Lorde u kërkoi ndjesë fansave të saj dhe konfirmoi se po punon me organizatorët për riplanifikimin e datës, ndërsa ofroi mundësinë për rimbursime të biletave.

Koncerti ishte pjesë e turneut evropian “Ultrasound World Tour”, që promovon albumin e saj më të fundit, “Virgin”, i publikuar më 27 qershor. Projekti ka marrë vlerësime shumë pozitive nga kritika dhe ka debutuar në krye të listave muzikore në Australi, Zelandën e Re dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Në muajt e fundit, këngëtarja ka folur hapur për periudhat e vështira që ka kaluar, përfshirë sfidat mendore dhe presionet mbi trupin e saj. Në një intervistë për BBC Radio 1, ajo ka treguar se në fillim të vitit 2023 ndodhej në një gjendje të rëndë emocionale dhe kishte menduar të largohej nga muzika.
“Nuk mendoja se do të bëja më muzikë,” pranoi ajo, duke shtuar se rikthimi në studio dhe procesi krijues e ndihmuan të gjente sërish veten.
Megjithëse anulimi ishte një goditje e papritur për fansat, Lorde siguroi se do të rikthehet në skenë sapo të shërohet plotësisht — duke premtuar një performancë edhe më të fuqishme për publikun që e mbështet pa kushte.