Current track

Title

Artist

Madonna ngre zërin për Iranin: Mesazh force, lirie dhe solidariteti

Written by on January 16, 2026

Ikona botërore e muzikës pop, Madonna, ka shprehur publikisht mbështetjen e saj për popullin iranian, duke përdorur platformën e Instagramit për të dërguar një mesazh force dhe solidariteti. Në postimin e saj, artistja i inkurajoi iranianët të “qëndrojnë të fortë”, ndërsa reflektoi mbi kuptimin e lirisë, protestave dhe rezistencës.

Madonna u ndal veçanërisht te kufizimet e rënda me të cilat përballen gratë në Iran, duke përmendur ndalesat në lirinë e shprehjes, veshjes dhe lëvizjes. Ajo theksoi se qëndron në krah të atyre që kërkojnë ndryshim dhe që luftojnë për të drejta themelore, duke e bërë të qartë pozicionin e saj pro lirisë dhe dinjitetit njerëzor.

“Populli i Iranit nuk ka njohur liri prej shekujsh. Nuk mund të pretendoj se e kuptoj plotësisht vuajtjen që është përjetuar, por mendimet dhe lutjet e mia janë me popullin e Iranit”, shkroi Madonna, një deklaratë që u shpërnda gjerësisht dhe u komentua nga ndjekës në mbarë botën.

Sipas një grupi për të drejtat e njeriut me seli në Shtetet e Bashkuara, të paktën 2,400 persona janë vrarë që nga fillimi i protestave, raporton CNN. Megjithatë, ky numër mund të jetë edhe më i lartë, pasi ndërprerjet e komunikimeve dhe energjisë elektrike e kanë bërë jashtëzakonisht të vështirë verifikimin e të dhënave.

Ndërprerja e energjisë ka kufizuar rëndë mundësinë e iranianëve për të përhapur mesazhe dhe për të informuar botën mbi situatën reale në terren. Kjo situatë ka krijuar terren për rritjen e dezinformimit, me video të gjeneruara nga Inteligjenca Artificiale dhe pamje të vjetra që rishfaqen në internet, duke e bërë edhe më të ndërlikuar dallimin mes së vërtetës dhe manipulimit.

Në këtë klimë të tensionuar, zëri i figurave të njohura si Madonna po shërben si një dritare ndërkombëtare vëmendjeje, duke e mbajtur çështjen e Iranit në fokusin e opinionit publik global.


Reader's opinions

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Current track

Title

Artist