Current track

Title

Artist

“Na trajtojnë si kukulla” – rebelimi i Kristen Stewart që po trazon Hollywood-in

Written by on January 27, 2026

Kristen Stewart ka vendosur të mos heshtë më. Ylli i njohur i kinemasë ka folur hapur për realitetin e ashpër që, sipas saj, përjetojnë aktoret në industrinë e filmit, duke zbuluar një prapaskenë ku mungesa e respektit dhe nënvlerësimi janë ende rregull, jo përjashtim.

Në një intervistë të fundit, Stewart deklaroi pa dorashka se aktoret shpesh trajtohen “si plehra” dhe perceptohen si lehtësisht të zëvendësueshme, sikur puna e tyre nuk kërkon aftësi, inteligjencë apo kontribut krijues. Një mendësi që, sipas saj, është thellësisht e rrënjosur në strukturat e industrisë dhe ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si gratë trajtohen brenda dhe jashtë sheshit të xhirimit.

Ky realitet është pikërisht arsyeja pse Stewart po i drejtohet gjithnjë e më shumë regjisë. Dhe ndryshimi, thotë ajo, ishte i menjëhershëm dhe tronditës.

“Njerëzit mendojnë se kushdo mund të bëhet aktore. Por herën e parë që u ula të flisja për filmin tim si regjisore, mendova: uau, kjo është një përvojë tjetër. Ata po më flasin sikur të isha dikush tjetër”, rrëfen ajo.

Ky kontrast i hapi sytë aktores për një të vërtetë të hidhur: besimi ndaj aktoreve është minimal, edhe pse ato shpesh janë thellësisht të përfshira në procesin krijues dhe në ndërtimin artistik të një filmi.

Stewart kritikon edhe mitin e vjetër të regjisorit si “gjeni mbinatyror”, një ide që, sipas saj, është ushqyer prej vitesh nga burrat në industri. “Ekziston një ide se regjisorët kanë aftësi mbinatyrore, gjë që nuk është e vërtetë. Aktoret i kanë më keq se aktorët – trajtohen si kukulla, por nuk janë”, thekson ajo.

Me këto deklarata, Kristen Stewart nuk po flet vetëm për veten, por për një brez të tërë grash që kërkojnë të shihen jo si fytyra të bukura në ekran, por si artiste me zë, mendim dhe fuqi krijuese. Dhe duket se revolucioni i saj sapo ka nisur.


Reader's opinions

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Current track

Title

Artist