Current track

Title

Artist

Ndahet nga jeta aktori i Grey’s Anatomy, Eric Dane

Written by on February 20, 2026

Bota e showbiz-it është në zi pas lajmit për ndarjen nga jeta të aktorit të njohur Eric Dane, i cili kishte rrëfyer më herët betejën e tij me ALS, një sëmundje e rrallë degjenerative e njohur edhe si sëmundja e Lou Gehrig.

ALS prek qelizat nervore që kontrollojnë lëvizjen, duke shkaktuar paralizë progresive të muskujve. Me kalimin e kohës, pacientët humbasin aftësinë për të folur, për të ngrënë, për të ecur dhe, në fazat më të avancuara, edhe për të marrë frymë pa ndihmë.

Verën e kaluar, në një intervistë emocionale për Good Morning America, aktori kishte pranuar se diagnoza e kishte mbushur me zemërim dhe frikë. Ai kishte rrëfyer se shqetësimi i tij më i madh ishte mundësia që vajzat e tij ta humbnin herët, ashtu siç ai kishte humbur babanë. Babai i tij i kishte dhënë fund jetës kur Dane ishte vetëm shtatë vjeç, një traumë që e kishte shoqëruar gjatë gjithë jetës.

I lindur në San Francisco në vitin 1972, Dane nisi karrierën në televizion në vitin 1993 me serialin The Wonder Years, për të ndërtuar më pas një rrugëtim të suksesshëm në film dhe televizion. Ai u bë një nga figurat më të dashura për publikun, sidomos për rolin e tij në Grey’s Anatomy.

Pas lajmit të hidhur, kolegë dhe miq të tij kanë ndarë mesazhe prekëse. Kim Raver e kujtoi për energjinë dhe humorin e tij të veçantë, ndërsa Kevin McKidd i dedikoi një mesazh të thjeshtë, por të ndjerë. Edhe krijuesi i Euphoria, Sam Levinson, shprehu dhimbjen e tij, duke e quajtur një nder të kishte punuar dhe ndarë miqësi me aktorin.

Figura e tij do të mbetet e paharruar për publikun dhe industrinë, ndërsa rrëfimi i tij për ALS u kthye në një mesazh sensibilizues për shumë njerëz në mbarë botën.


Reader's opinions

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Current track

Title

Artist