NELLY FURTADO I JEP FUND KARRIERËS MUZIKORE PAS MË SHUMË SE 25 VJETËSH SUKSES
Written by radio wave on October 29, 2025
Një nga zërat më ikonikë të muzikës pop ndërkombëtare, Nelly Furtado, ka marrë një vendim që ka befasuar fansat në mbarë botën. Këngëtarja kanadeze me origjinë portugeze, e njohur për hitet që kanë shënuar fundin e viteve ’90 dhe fillimin e viteve 2000, ka njoftuar se po tërhiqet nga skena muzikore dhe se nuk do të zhvillojë më asnjë koncert.
Pas më shumë se dy dekadash karrierë të suksesshme, Furtado ka vendosur të bëjë një shkëputje të papritur nga muzika, duke u fokusuar në projekte të tjera personale dhe krijuese. Vendimi i saj vjen pas një periudhe ku artistja u komentua gjerësisht për ndryshimet në pamjen fizike dhe peshën e saj – diçka që, sipas burimeve, e ka ndikuar ndjeshëm emocionalisht.

Në një deklaratë të publikuar nga IndeksOnline, këngëtarja u shpreh:
“Kam vendosur të largohem nga performanca për një të ardhme të parashikueshme dhe të ndjek disa përpjekje të tjera krijuese dhe personale që mendoj se do t’i përshtateshin më mirë kësaj faze tjetër të jetës sime. E kam shijuar jashtëzakonisht shumë karrierën time dhe ende më pëlqen të shkruaj muzikë, pasi gjithmonë e kam parë si një hobi që pata fatin ta shndërroja në karrierë. Do ta identifikoj veten si kompozitore përgjithmonë.”

Nelly Furtado është një nga artistet që ka lënë gjurmë të thella në muzikën pop dhe R&B, me hite të pavdekshme si “I’m Like a Bird”, “Promiscuous”, “Say It Right” dhe “Maneater”. Gjatë viteve të arta të karrierës së saj, ajo bashkëpunoi me emra të mëdhenj si Timbaland, Justin Timberlake dhe Juanes, duke ndërtuar një katalog të pasur që vazhdon të dëgjohet edhe sot.
Tërheqja e saj shënon fundin e një epoke për një artiste që solli një stil të veçantë dhe autenticitet në muzikën pop. Megjithatë, Furtado ka lënë të kuptohet se pasioni për krijimtarinë mbetet gjallë – dhe se muzika, për të, nuk është mbyllur përgjithmonë, por vetëm ka hyrë në një fazë të re.