Current track

Title

Artist

NOIZY NDALOHET NË ZVICËR – MENAXHMENTI: “ËSHTË NJË NGATËRRESË ADMINISTRATIVE”

Written by on July 9, 2025

Rap-artisti i njohur shqiptar Noizy është ndaluar ditë më parë nga autoritetet zvicerane menjëherë pas mbërritjes në aeroportin e Cyrihut, ku kishte mbërritur si pjesë e një turneu promovues për albumin e tij më të fundit, “Icon”.

Ai pritej të performonte në një klub nate në qytet, mirëpo ndalimi i papritur nga autoritetet vendase tërhoqi vëmendjen e mediave dhe rrjeteve sociale, ku lajmi u përhap me shpejtësi. Sipas disa raportimeve, ndalimi është kryer me urdhër të Zyrës së Prokurorit Publik për Krime të Rënda dhe të Dhunshme.

Megjithatë, menaxhmenti i artistit ka reaguar menjëherë duke sqaruar se situata nuk ka lidhje me ndonjë çështje penale, por është rezultat i një keqkuptimi administrativ. Në një deklaratë për *Revista Class*, njerëz nga ekipi i Noizyt shprehën habinë dhe zhgënjimin për mënyrën si ndodhi gjithçka.

“Universal”, kompania ndërkombëtare menaxhuese me bazë në Gjermani, ka angazhuar menjëherë një ekip ligjor për të sqaruar rrethanat e ndalimit. “Nuk është e qartë se çfarë ka çuar në këtë ndalim, por duket të jetë një keqkuptim. Noizy nuk është subjekt i ndonjë hetimi aktiv”, theksojnë burimet pranë artistit.

Gjithashtu, familja, miqtë dhe menaxhmenti i tij janë distancuar nga çdo lajm i rremë që ka qarkulluar ditët e fundit dhe që mund ta lidhë emrin e tij me veprime penale. Ata theksojnë se Noizy nuk ka asnjë konflikt me askënd dhe se emri i tij po keqpërdoret nga palë të treta për qëllime të paqarta.

Ndërkohë, fansat e artistit shpresojnë në një zgjidhje të shpejtë dhe rikthimin e tij në skenë pa pengesa, ndërsa ekipi i tij mbetet në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet për të zgjidhur situatën.


Reader's opinions

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Current track

Title

Artist