Current track

Title

Artist

ONEILA LLANAJ NË WAVE BREAKFAST SHOW: PASIONI PËR PIANON DHE MAGJIA E MUZIKË

Written by on March 26, 2025

Sot në studion e **Wave Breakfast Show** me **Ergys Bamçin**, e ftuar ishte pianistja dhe njëkohësisht mësuesja e talentuar e pianos, **Oneila Llanaj**. 25-vjeçarja ndau me dëgjuesit rrugëtimin e saj artistik dhe pasionin për muzikën, duke treguar se si **Disney dhe ikonat muzikore të viteve 2000, si Selena Gomez**, e frymëzuan të ëndërronte e të ndiqte rrugën e artit.

Gjatë intervistës, Oneila theksoi se talenti nuk mjafton për të arritur suksesin, por duhet **punë, përkushtim dhe kohë**. **“Instrumenti i pianos është impenjativ dhe kërkon shumë punë”**, u shpreh ajo, duke nënvizuar rëndësinë e disiplinës dhe durimit në muzikë.

Sipas saj, **mosha ideale për të filluar studimin e pianos është 5-6 vjeç**, por pasioni për këtë instrument nuk njeh kufij. **“Piano mund të studiohet në çdo kohë, qoftë si profesion apo si një formë e pasurimit kulturor”**, tha pianistja.

Një aspekt mbresëlënës i punës së saj është angazhimi me **rreth 40 nxënës të pianos dhe 120 fëmijë të korit**. Ajo vuri në dukje se ndjekja e kurseve të pianos nuk ka vetëm përfitime muzikore, por ndihmon edhe në **zhvillimin social dhe kulturor të individit**.

Përveç mësimdhënies, Oneila është aktive në skenën artistike dhe do të jetë pjesë e **sezonit koncertor deri në qershor në Tiranë**. Megjithatë, ëndrra e saj më e madhe mbetet të interpretojë në një nga sallat më prestigjioze të muzikës klasike në botë, **Musikverein në Vjenë**.

Me pasionin dhe përkushtimin e saj, Oneila Llanaj është një frymëzim për të gjithë ata që duan të ndjekin rrugën e muzikës dhe të pianos. Për më shumë histori frymëzuese dhe biseda të veçanta, ndiqni **Wave Breakfast Show** çdo mëngjes në **Radio Wave 108 FM!**


Reader's opinions

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Current track

Title

Artist