Current track

Title

Artist

Pasioni që u kthye në mision – Historia e Germando Matraku

Written by on November 26, 2025

Pasioni për makinat nuk lind rastësisht. Për disa njerëz, ai është një pjesë e pandashme e jetës që në fëmijëri. Kjo është edhe historia e Germando Matraku, i cili rrëfen se dashuria e tij për botën e autosportit mori formë që në moshë të vogël, gjatë viteve që jetoi në Gjermani. Pranë shtëpisë së tij ndodhej fabrika legjendare Brabus, dhe zhurma karakteristike e motorëve që ai dëgjonte çdo ditë u bë si një melodi që nuk e braktisi kurrë. Vizitat e shpeshta në atë fabrikë i ndezën për herë të parë dëshirën që një ditë të ishte pjesë e këtij universi.

Një tjetër moment i paharrueshëm në rrugëtimin e tij ishin eventet e organizuara në pistën e Gjadrës, të cilat sipas tij kanë lënë gjurmë te çdo pjesëmarrës. Pista, e gjerë dhe e përshtatshme, krijonte kushtet ideale për gara të vërteta, duke i dhënë adrenalinë dhe emocion të veçantë çdo aktiviteti të zhvilluar atje.

Me rikthimin në Shqipëri, Germando vuri re se dëshira për autosportin po rritej me ritme të shpejta, sidomos te të rinjtë. Pikërisht kjo energji u bë nxitja kryesore për krijimin e një komuniteti serioz dhe të organizuar. Kështu lindi klubi Speedhunters, një hap i rëndësishëm drejt profesionalizimit të autosportit, ku Germando është një nga figurat qendrore. Ai është i certifikuar si garues profesionist dhe thekson se në këtë sport disiplina dhe rregulli janë më të rëndësishme se shpejtësia.

Nga pozita e tij si sportist dhe figurë publike, ai lëshon edhe një apel të fortë për të rinjtë:
“Mos ecni shpejt në rrugët e Shqipërisë. Rrugët nuk janë të përshtatshme dhe makina është armë në duar të gabuara.”
Germando shpreh bindjen se pasioni duhet kultivuar dhe orientuar në ambiente të sigurta, jo në rrugët e përditshme që shpeshherë shndërrohen në skena aksidentesh tragjike.

Ai shpreson se shumë shpejt Shqipëria do të ketë një pistë të mirëfilltë garash, si ajo që është diskutuar prej kohësh në Elbasan. Një pistë e tillë, sipas tij, do t’u jepte të rinjve mundësinë të shprehin pasionin në mënyrë profesionale, të rriten teknikisht dhe të garojnë të sigurt.

Në fund të intervistës, Germando ndan edhe një prej momenteve më unikale e më emocional që ka përjetuar me makinat. Për gender reveal-in e djalit të tij, ai organizoi një skenë spektakolare me një BMW që digjte gomat, duke krijuar një re të madhe tymi që u bë blu – shenjë që zbulonte ardhjen në jetë të një djali. Një kujtim që bashkon dashurinë e tij për familjen me pasionin që e ka ndjekur gjithë jetën.

Historia e Germando Matraku është shembull i qartë se si pasioni mund të kthehet në mision. Një mision që synon të ndërtojë kulturë autosporti, të edukojë të rinjtë dhe të promovojë sigurinë, duke treguar se adrenalina e vërtetë gjendet vetëm në pista të vërteta, jo në rrugë të zakonshme.


Reader's opinions

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Current track

Title

Artist