Current track

Title

Artist

PROKURORIA NGRe AKUZË NDAJ REPERIT BUTA PËR NARKOTIKË DHE ARMËMBAJTJE PA LEJE

Written by on September 24, 2025

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj rep-artistit Betim Januzi, i njohur me emrin artistik Buta, duke e ngarkuar atë për shitblerje të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje. Reperi ishte ndaluar më 11 shtator 2025 dhe aktualisht gjendet nën masën e paraburgimit.

Fillimisht, lajmin për paraburgimin e Januzit e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini, i cili deklaroi se “Ai është në paraburgim moti që një javë e më shumë”.

Në një përgjigje me shkrim për “Betimi për Drejtësi”, Prokuroria ka bërë të ditur se më 12 shtator ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Ferizaj. Sipas Prokurorisë, Januzi ishte ndaluar me 11 shtator për 48 orë, me dyshimin se ka kryer veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Ferizaj, Gentiana Hoxha, ka konfirmuar se paraburgimi ndaj Januzit është caktuar deri më 10 tetor 2025. Ajo shtoi se ndaj reperit është ngritur aktakuzë dhe seanca e parë gjyqësore është caktuar për 1 tetor 2025.

Sipas dosjes së Prokurorisë, më 11 shtator rreth orës 21:00, në rrugën “Zenel Hajdini” në Ferizaj, policia ka ndaluar automjetin e tipit BMW që drejtohej nga Januzi. Gjatë kontrollit, në veturën e tij është gjetur një sasi e substancave të dyshuara narkotike, përfshirë kokainë dhe marihuanë. Një pjesë e tyre është gjetur në çantën personale të reperit, ndërsa substanca shtesë është zbuluar gjatë bastisjes në banesën e tij.

Prokuroria ka bërë të ditur se janë sekuestruar gjithsej disa qese me kokainë dhe marihuanë, me peshë të ndryshme, të cilat dyshohet se ishin të destinuara për shitje apo shpërndarje.

Po ashtu, gjatë kontrollit policia i ka gjetur Januzit një pistoletë me karikator dhe 16 fishekë, ndërsa në banesën e tij janë zbuluar edhe 26 fishekë të tjerë të tipit “luger”.

Avokati i Januzit, Naim Ferati, ka refuzuar të japë detaje për mediat duke thënë se nuk është i autorizuar për të komentuar rastin.


Reader's opinions

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Current track

Title

Artist