Current track

Title

Artist

PUNËTORËT E “SUNNY HILL” NË BANKËN E TË AKUZUARVE PËR SHITJE ILEGALE TË BILETAVE

Written by on July 29, 2025

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj dy punëtorëve të festivalit “Sunny Hill”, R.G. dhe U.S., të cilët akuzohen për shitje ilegale të biletave gjatë edicionit të vitit të kaluar të këtij eventi të madh muzikor.
Ngjarja, që daton më 28 korrik 2024, ka ndodhur në hyrjen “VIP” të festivalit, ku dy të pandehurit, të angazhuar me detyrë për skanimin dhe kontrollin e biletave, dyshohet se kanë abuzuar me autorizimet e tyre, duke u përfshirë në një skemë shitjeje të jashtëligjshme të biletave, konkretisht shirita të dorës.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, R.G. akuzohet për përfitimin e një shume prej 2 mijë e 40 eurosh nga shitja e 13 biletave “VIP” dhe 20 biletave të zakonshme, ndërsa U.S. akuzohet për përvetësimin e 50 eurove nga shitja e një bilete të vetme.
Përmes këtij veprimi, festivalit “Sunny Hill”, i përfaqësuar në këtë çështje nga Visar Breznica, i është shkaktuar dëm material në vlerë totale prej 2 mijë e 90 eurosh.

Të dy personat tashmë përballen me akuzën për veprën penale “Keqpërdorimi i besimit” sipas nenit 330, paragrafi 1 të Kodit Penal, një vepër që dënohet me gjobë ose me burgim, varësisht nga rrethanat dhe pasojat e shkaktuara.
Procesi gjyqësor pritet të hedhë më shumë dritë mbi mënyrën se si janë manipuluar biletat në një prej festivaleve më të mëdha në rajon, si dhe të shërbejë si sinjal për nevojën e forcimit të kontrolleve dhe transparencës në menaxhimin e ngjarjeve publike.


Reader's opinions

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Current track

Title

Artist