REAGIM I FORTË NGA ALBINA KELMENDI NDAJ PERFORMANCËS SË EGLI TAKOS ME KËNGËN “MORA FJALË”
Written by radio wave on July 21, 2025
Një video që po qarkullon me shpejtësi në rrjetet sociale ka shkaktuar reagime të forta, mes tyre edhe nga këngëtarja e njohur Albina Kelmendi.
Pamjet tregojnë këngëtaren Egli Tako duke interpretuar këngën patriotike “Mora fjalë” të Shkurte Fejzës gjatë një performance në një klub nate. Veshja provokuese e saj gjatë interpretimit është konsideruar nga shumë përdorues si e papërshtatshme për natyrën e ndjeshme dhe historike të këngës.
E tronditur nga ajo që pa, Albina Kelmendi ripostoi videon në rrjetet e saj sociale, duke shprehur hapur indinjatën:
“M’falni edhe mu që po e bëj share. Uroj që kjo të jetë një montazh i keq!”
Videoja është shoqëruar edhe me një koment sarkastik që përforcon ndjeshmërinë e çështjes:
“Adem Jashari dhe Shkurte Fejza, na falni. Na falni që një këngë kaq e madhe për ne, bastardohet duke e kënduar në brekë.”
Ky reagim i Albinës ka ndezur një debat të gjerë në opinionin publik, ku shumë prej komentuesve ngrejnë pikëpyetje mbi etikën, respektin dhe ndjeshmërinë që duhet treguar kur interpretohen këngë me vlera të thella patriotike dhe kulturore.
Në një kohë kur rrjetet sociale ndikojnë fuqishëm në përhapjen e çdo përmbajtjeje, kjo situatë ka rikthyer edhe njëherë diskutimin mbi balancën mes lirisë artistike dhe respektit për trashëgiminë kombëtare.