SACHA BARON COHEN TRONDIT PUBLIKUN ME TRANSFORMIMIN FIZIK: NGA BORAT TEK MEPHISTO I MARVELIT
Written by radio wave on July 25, 2025
Aktori i njohur britanik, Sacha Baron Cohen, më i famshëm për rolet e tij komike si Borat dhe Ali G, ka habitur publikun me një transformim të jashtëzakonshëm fizik. 53-vjeçari ka zbuluar fizikun e tij të tonifikuar në kopertinën e revistës Men’s Fitness UK, duke ndarë edhe foto në Instagram me një koment plot humor:
“Disa të famshëm përdorin Ozempic, disa kuzhinierë privatë, e disa trajnerë personalë. Unë përdora të treja.”
Ai shtoi me ironi:
“Kjo nuk është inteligjencë artificiale. Jam mjaft egoist sa ta bëj këtë realitet. Po prezantoj personazhin tim të ri: një burrë i moshës së mesme që ka ndërruar birrën me protein shake.”
Cohen falënderoi edhe trajnerin e tij personal, Alfonso Moretti, i njohur si The Angry Trainer, për durimin gjatë stërvitjeve të përditshme prej vetëm 25 minutash. Sipas aktorit, përkushtimi ishte i nevojshëm, pasi qëndronte një arsye e fortë profesionale pas transformimit: Marvel Studios e ka zgjedhur atë për të interpretuar super-keqbërësin infernal Mephisto në serinë e re të Disney+, Ironheart.
Duke ruajtur stilin e tij karakteristik, Cohen tregon se për të arritur këtë formë, kërkoi ndihmën e një eksperti të fitnesit:
“E thirra Matthew McConaughey për ndihmë. Pasi më pyeti kush jam dhe si e mora numrin, më dha kontaktin e Alfonsos.”
Trajneri Moretti kishte vetëm tre javë kohë për ta sjellë aktorin në formë, duke i kërkuar përkushtim maksimal. Programi i stërvitjes përfshinte:
25 minuta ushtrime çdo ditë
100 pompa në ditë
Dietë me pak sheqer, të pasur me fibra dhe proteina
Mbikëqyrje përmes video-thirrjeve dhe aplikacioneve
“Fitnesi është si kursimi,” – shpjegon Moretti. “Nuk ka të bëjë me faktin që investon 1000 njëherësh, por që çdo ditë kursen nga një dollar.”
Sipas tij, Cohen kishte një bazë të mirë fizike, megjithëse vizualisht nuk dukej si në formë. Studioja madje kishte menduar të përdorte muskuj prostetikë, por aktori e mori përsipër sfidën personalisht.
Presidenti i Marvel Studios, Kevin Feige, e ka përshkruar Mephiston si një personazh me potencial të madh në universin filmik të Marvelit:
“Ai është një personazh që ka qenë i vështirë për t’u realizuar më parë. Ai është djalli. Ka qenë pjesë kyçe në historinë e Thanos në komikë. Tani që është këtu, potenciali është i qartë.”
Kjo do të thotë se Sacha Baron Cohen nuk ka më rrugë kthimi: forma e tij fizike është bërë pjesë zyrtare e Marvelit – dhe nuk ka vend për birrë në universin e superheronjve.