Sara Payman magjeps Radio Wave 108 FM me zë, emocione dhe energji pozitive
Written by radio wave on December 19, 2025
Studioja e Radio Wave 108 FM u mbush me magji dhe ndjesi të veçanta me praninë e artistes Sara Payman, një zë unik me origjinë indiane dhe iraniane, e lindur dhe e rritur në Angli, e cila prej disa vitesh jeton dhe krijon në Shqipëri. Edhe pse me profesion dentiste, shpirti i saj artistik ka gjetur rrugën drejt muzikës, duke ndërtuar një identitet që bashkon kultura, emocione dhe ndjeshmëri të ndryshme.
Prej dy vitesh, Sara Payman ka zgjedhur të këndojë në gjuhën shqipe, një hap që, siç rrëfeu ajo, nisi në mënyrë shumë të veçantë. Hapi i parë erdhi nën një portokall, e nxitur dhe e mbështetur nga bashkëshorti i saj, i cili ka kënduar që i vogël dhe ka qenë frymëzimi kryesor që ajo të afrohej me muzikën shqiptare.
Dashuria e saj për muzikën ka lindur herët, e ushqyer nga tingujt e soul music që dëgjonte në radion “Magic” në Angli. Këta tinguj e shtynë të këndojë dhe të shkruajë këngë, duke e bërë soul-in dhe jazz-in bazën e stilit të saj muzikor. Megjithatë, ajo i ndërthur këto zhanre me ndjeshmëri edhe me elementë të këngës tradicionale shqiptare, duke krijuar një kombinim origjinal dhe të veçantë.
Gjatë intervistës në Radio Wave, Sara Payman krijoi një atmosferë fantastike dhe shumë pozitive. Ajo interpretoi live një krijim të ri të sajin, si dhe një këngë tradicionale shqiptare arbëreshe, e cila emocionoi dëgjuesit dhe e ktheu momentin në një përjetim të paharrueshëm për të pranishmit në studio.
Me zërin e saj të ngrohtë, interpretimin e ndjerë dhe energjinë e pastër që përcolli, Sara Payman dëshmoi se muzika nuk njeh kufij, por vetëm ndjenja. Në prag të fundvitit, ajo e shndërroi studion e Radio Wave 108 FM në një hapësirë emocionesh, frymëzimi dhe feste, duke lënë pas një jehonë pozitive që vazhdon edhe pas mbylljes së mikrofonëve.