Current track

Title

Artist

SHPËRTHIM ME LËNDË PLASËSE NË KURBIN, DYSHOHET SE SHËNJESTRA ISHTE KËNGËTARI JOZEFIN MARKU (JOZI)

Written by on August 27, 2025

Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte në fshatin Gurëz, njësi administrative Fushë Kuqe të Kurbinit.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, rreth orës 04:20, në portën e jashtme të oborrit të banesës së shtetases M. D. është hedhur një sasi e vogël lënde plasëse, e dyshuar se ka qenë e prodhuar në mënyrë artizanale. Edhe pse banesa i përket kësaj shtetaseje, hetimet paraprake ngrejnë dyshime se shënjestra e mundshme ka qenë këngëtari i njohur Jozefin Marku, i njohur me emrin artistik Jozi, raporton Euronews Albania.

Menjëherë pas ngjarjes, forcat e policisë dhe grupi hetimor mbërritën në vendngjarje. Nga këqyrja fillestare rezultoi se porta kishte pësuar vetëm dëmtime të lehta, ndërsa fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar.

Gjatë kontrollit të zonës përreth, hetuesit zbuluan disa gëzhoja të vjetra, të cilat u sekuestruan si prova materiale dhe do t’i nënshtrohen analizës laboratorike.

Policia njofton se nën drejtimin e Prokurorisë po vijojnë veprimet e thelluara hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave, identifikimin e autorëve dhe dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje.

Ky incident i shtohet rasteve të fundit të shpërthimeve dhe tentativave të ngjashme në zonën e Kurbinit, duke rritur ndjeshëm shqetësimin e banorëve për sigurinë në komunitet.


Reader's opinions

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Current track

Title

Artist