Current track

Title

Artist

Shqipëria drejt ekonomisë dixhitale: Dalip Bali tregon sekretet e FinTech në Radio Wave

Written by on November 19, 2025

Në kuadër të Javës Globale të Sipërmarrjes, Radio Wave mirëpriti sot Dalip Balin, Drejtor i Inovacionit në Union Financiar Tiranë, një nga figurat më me eksperiencë në fushën e FinTech dhe transformimit dixhital financiar në vend. Me mbi 14 vite eksperiencë në teknologji dhe zgjidhje moderne pagesash, Bali ofroi një pasqyrë të qartë mbi mënyrën si po ndryshon ekonomia shqiptare drejt së ardhmes dixhitale.

Ai theksoi se Shqipëria tashmë është në rrugën e duhur të dixhitalizimit financiar. Pagesat elektronike po marrin përmasa të reja, ndërsa tregu po lëviz drejt një strukture më moderne, më të sigurt dhe më efikase. “Shumica e pagesave sot kryhen dixhitalisht dhe kjo po e ndihmon biznesin shqiptar të rritet më shpejt dhe më me transparencë,” tha Bali.

Platforma U-Pay, një nga projektet kryesore të Union Financiar Tiranë, ofron mbi 110 shërbime, përfshirë kredi online, duke eliminuar radhët dhe sportelet tradicionale. Ai parashikon që Shqipëria, brenda 5 viteve të ardhshme, do të afrohet shumë me një realitet pothuajse “cashless”, duke minimizuar përdorimin e parasë fizike pa e zhdukur plotësisht.

Një faktor i rëndësishëm që po nxit këtë transformim janë kërkesat e turistëve, të cilët kërkojnë pagesa me POS, duke e bërë praninë e pajisjeve të tilla një domosdoshmëri për çdo biznes. Për më tepër, Bali njoftoi se tarifat e POS-it do të bien drastikisht nga 1.5% në vetëm 0.02%, një zhvillim që do të përmirësojë klimën financiare dhe do të lehtësojë aktivitetin e bizneseve.

Union Financiar po luan një rol kyç në implementimin e politikave të reja, duke lehtësuar hapat financiarë të bizneseve, forcuar përdorimin e parasë dixhitale, ndihmuar rritjen e sipërmarrjeve dhe kontribuar në uljen e informalitetit. Bali e përshkroi vizionin e Unionit si krijimin e një ekosistemi më të drejtë, më transparent dhe më të lehtë për sipërmarrësit.

Në përfundim, mesazhi i tij për të rinjtë dhe startup-et ishte i qartë: “Kushdo që dëshiron të ndërtojë një startup duhet të njohë FinTech. Është baza që garanton sukses dhe rritje në ekonominë e së ardhmes.”


Reader's opinions

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Current track

Title

Artist