SHQIPËRIA MUND LETONINË DHE NGJITET NË VENDIN E DYTË NË GRUPIN K
Written by radio wave on September 10, 2025
Kombëtarja e Shqipërisë ka marrë një fitore të madhe dhe shumë të rëndësishme në kualifikimet për Kupën e Botës 2026, duke mposhtur Letoninë me rezultat minimal 1-0 në “Air Albania Stadium”.
Heroi i mbrëmjes ishte mesfushori Kristjan Asllani, i cili shënoi golin e vetëm të takimit në minutën e 25-të nga pika e bardhë e penalltisë, duke i dhuruar kuqezinjve tre pikë me vlerë të artë.

Ky sukses rikthen shpresat e Shqipërisë për kualifikim, veçanërisht për vendin e dytë që siguron Play-Off-in, pasi vendi i parë në Grupin K duket i blinduar nga Anglia. “Tre Luanët” kanë fituar pesë ndeshje në po aq takime, duke siguruar një epërsi të pakapshme.

Pas kësaj fitoreje, Shqipëria ngjitet në vendin e dytë me tetë pikë, me një bilanc prej dy fitoresh, dy barazimesh dhe një humbjeje. Serbia renditet e treta me shtatë pikë, por ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Letonia mbetet në vendin e katërt me katër pikë, ndërsa Andorra është e fundit pa asnjë pikë.
Në tetor, Shqipëria përballet në transfertë me Serbinë, një ndeshje vendimtare ku fitorja është e domosdoshme për të forcuar pozitën e dytë dhe për të mbajtur gjallë ëndrrën e Botërorit.