Skandal në kuzhinën e luksit, sponsorët braktisin restorantin Noma
Written by radio wave on March 11, 2026
Një nga emrat më të mëdhenj të gastronomisë botërore po përballet me një valë akuzash të forta. Restoranti i famshëm Noma ka humbur dy sponsorë të rëndësishëm pas pretendimeve për abuzim ndaj stafit nga shefi i kuzhinës René Rexhepi.
Sipas raportimeve, sponsorët gjigantë American Express dhe Blackbird kanë tërhequr mbështetjen për eventet që ishin planifikuar të zhvilloheshin në Los Angeles. Vendimi erdhi pasi dolën në dritë dëshmi nga ish-punonjës që pretendojnë se për vite me radhë kuzhinieri i njohur ka përdorur gjuhë fyese dhe madje ka ushtruar dhunë fizike ndaj stafit.
Disa prej tyre kanë deklaruar se incidentet përfshinin shtyrje dhe goditje gjatë orëve të punës, duke krijuar një atmosferë presioni të madh brenda kuzhinës së restorantit që për vite është konsideruar ndër më të mirët në botë.
Pas publikimit të akuzave, Rexhepi reagoi duke kërkuar falje për sjelljet e tij në të kaluarën. Nga ana tjetër, restoranti Noma ka deklaruar se po shqyrton seriozisht pretendimet dhe se gjatë viteve të fundit janë bërë përmirësime në kushtet e punës dhe në mënyrën e menaxhimit të stafit.
Megjithatë, largimi i sponsorëve pritet të ndikojë drejtpërdrejt në eventet ndërkombëtare të planifikuara, duke hedhur hije mbi reputacionin e një prej kuzhinave më të famshme të globit.