Skandal në prag të Super Bowl: Bad Bunny përballet me padi milionëshe për përdorim të paautorizuar të zërit
Written by radio wave on January 12, 2026
Një re e errët po shfaqet mbi karrierën e Bad Bunny-t, në një nga momentet më të rëndësishme të suksesit të tij ndërkombëtar. Superylli porto-rikan i muzikës latine po përballet me një padi gjyqësore, ku një grua nga Porto Riko kërkon 16 milionë dollarë dëmshpërblim, ose rreth 14 milionë euro, për përdorimin e paautorizuar të zërit të saj në dy këngë të reperit të famshëm.
Sipas dokumenteve ligjore, regjistrimi i zërit daton në vitin 2018 dhe është realizuar në një kontekst jo-profesional. Paditësja pretendon se pranoi të regjistronte një frazë të shkurtër me kërkesë të producentit Roberto Rosalido, me të cilin ishte njohur gjatë një kursi studimi, pa u informuar se ky material do të përdorej ndonjëherë për qëllime komerciale.
Zëri i saj u përdor për herë të parë në këngën “Solo de mi”, pjesë e albumit shumë të suksesshëm “X100pre”, i publikuar në vitin 2018, një projekt që shënoi një nga kulmet e karrierës së Bad Bunny-t. Vite më vonë, i njëjti fragment audio u ripërdor edhe në këngën “EeO”, e publikuar në vitin 2025 në albumin “Debi tirar mss fotos”.
Të dyja këngët kanë arritur miliona dëgjime në platformat digjitale, duke gjeneruar përfitime të konsiderueshme financiare. Pikërisht këtu qëndron edhe thelbi i padisë: sipas gruas, suksesi ekonomik i këngëve është ndërtuar, pjesërisht, mbi përdorimin e zërit të saj pa pëlqimin apo dijeninë e saj.
Paditësja thekson se nuk është nënshkruar asnjë kontratë dhe nuk ka pasur asnjë negociatë për pagesë, duke e cilësuar këtë veprim si shkelje të rëndë të të drejtave personale dhe intelektuale. Ajo kërkon dëmshpërblim maksimal, duke pretenduar se zëri i saj është shfrytëzuar në mënyrë të padrejtë për qëllime muzikore, promovuese dhe komerciale.
Deri më tani, Bad Bunny nuk ka reaguar publikisht ndaj këtyre akuzave, ndërsa çështja po merr vëmendje të madhe mediatike. Skandali shpërthen në një moment delikat, teksa artisti po përgatitet për turneun e tij të radhës dhe për paraqitjen si ylli kryesor i shfaqjes së pjesës së Super Bowl LX, duke ngritur pikëpyetje mbi ndikimin që kjo padi mund të ketë në imazhin dhe axhendën e tij artistike.