Current track

Title

Artist

Skandal në televizionin austriak që organizon Eurovisionin

Written by on March 10, 2026

Vetëm dy muaj para zhvillimit të Eurovision Song Contest, televizioni publik austriak ORF – Österreichischer Rundfunk është përfshirë në një skandal që ka tronditur institucionin.

Drejtori i përgjithshëm i ORF, Roland Weissmann, ka dhënë dorëheqjen pas akuzave për ngacmim seksual, të cilat ai i mohon kategorikisht. Sipas raportimit të Reuters, televizioni konfirmoi se 57-vjeçari është larguar nga posti i tij me efekt të menjëhershëm.

Në deklaratën zyrtare të ORF thuhet se akuzat duhet të hetohen sa më shpejt dhe në mënyrë transparente, ndërsa në të njëjtën kohë institucioni e falënderoi Weissmann për rreth tre dekada kontribut në këtë kompani mediatike.

Pas dorëheqjes reagoi edhe avokati i tij, Oliver Scherbaum, i cili deklaroi se bordi mbikëqyrës i ORF e kishte informuar Weissmann-in vetëm së fundmi për akuzat ndaj tij.

Sipas tij, pretendimet lidhen me fillimin e mandatit të Weissmann-it në vitin 2022 dhe atij i është dhënë një afat shumë i shkurtër për të marrë vendimin për dorëheqje. Avokati shtoi se klienti i tij nuk ka marrë ende informacion të plotë mbi përmbajtjen e akuzave.

“Për të shmangur dëmtimin e kompanisë, ai ishte i gatshëm të bënte lëshime të rëndësishme dhe për këtë arsye vendosi të largohej menjëherë nga posti”, deklaroi Scherbaum.

Megjithatë, ai pretendon se ORF i bëri publike akuzat para se të përfundonte hetimi, duke shkelur sipas tij të drejtat personale të Weissmann-it. Për këtë arsye, avokati ka paralajmëruar edhe mundësinë e nisjes së procedurave ligjore.


Reader's opinions

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Current track

Title

Artist