TETA KETI, E FTUARA SPECIALE NË WAVE BREAKFAST SHOW ME ERGYS BAMCI
Written by radio wave on March 7, 2025
Në një episod të veçantë të “Wave Breakfast Show” në Radio Wave, me moderatorin Ergys Bamci, e ftuara speciale në linjë telefonike ishte Ketrin Gjocaj, ose siç njihet nga të gjithë, Teta Keti, figura legjendare e emisionit për fëmijë në RTSH.
Teta Keti ka argëtuar dhe edukuar shumë breza të rinj përmes një emisioni interaktiv dhe kulturor, duke shpalosur botën e fëmijëve në mënyrë artistike dhe intelektuale. Ajo ka qenë një burim energjie pozitive dhe ka ndihmuar në përgatitjen e brezave të rinj me dashuri dhe përkushtim. Pikërisht për këtë arsye, ajo ishte zgjedhja e duhur për të qenë e ftuar në emisionin “Wave Breakfast Show” në Radio Wave, me rastin e festës së mësuesve. Në media, Teta Keti është parë si “mësuesja e parë” e fëmijëve, duke luajtur një rol të rëndësishëm në formimin e tyre.
E pyetur për rikthimin e saj dhe përvojën në edukimin e fëmijëve, ajo u shpreh: “Pata një periudhë të pashpjegueshme pushimi, por me rikthimin e emisionit legjendar për fëmijët, impakti ishte i menjëhershëm. Sot më kujtohet mësuesja e shkollës 8-vjeçare dhe sa autoritet të mirë kishte. Gjithmonë e kujtoj dhe e admiroj sjelljen e saj dhe mënyrën sesi na mësonte.”
Ndër të tjera, Teta Keti dha edhe një mesazh për të gjithë mësuesit e sotëm: “Mesazhi im për Ditën e Mësuesit është që mësuesit e sotëm të jenë më të durueshëm dhe të kenë më shumë pasion. Sepse, po nuk pate pasion, nuk ka mësimdhënie të frytshme! Gëzuar 7 Marsin!”
Ky episod i “Wave Breakfast Show” solli një bisedë të ngrohtë dhe inspiruese, duke na kujtuar rëndësinë e edukimit dhe ndikimin e mësuesve në jetën e fëmijëve.