Trump kërcënon, Irani reagon: negociata në hije mes protestave dhe gjakderdhjes
Written by radio wave on January 12, 2026
Skena politike ndërkombëtare është ndezur sërish, këtë herë me Iranin në qendër të vëmendjes dhe Donald Trump që rikthehet me deklarata të forta. Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka zbuluar se Teherani ka kërkuar negociata, menjëherë pas kërcënimeve të tij për një goditje të mundshme ndaj Republikës Islamike, për shkak të shtypjes brutale të protestave.
Ndërsa prapaskenat diplomatike lëvizin me shpejtësi, bilanci në terren bëhet gjithnjë e më dramatik. Sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut me seli në SHBA, numri i viktimave ka arritur në të paktën 544 persona. Prej tyre, 496 janë demonstrues, ndërsa 48 pjesëtarë të forcave të sigurisë. Paralelisht, mbi 10,600 persona janë arrestuar gjatë dy javëve të protestave që kanë tronditur vendin.

Në një deklaratë për gazetarët, Trump nuk kurseu tensionin dhe misterin, duke lënë të kuptohet se situata mund të përshkallëzohet në çdo moment.
“Takimi po caktohet, por mund të na duhet të veprojmë për shkak të asaj që po ndodh para takimit. Por, një takim po caktohet. Irani telefonoi, ata duan të negociojnë,” u shpreh ai.
Mes telefonatave të fshehta, kërcënimeve publike dhe një bilanci tragjik në rrugët e Iranit, mbetet për t’u parë nëse negociatat do të sjellin paqe apo thjesht një akt tjetër në dramën politike që po mban botën me sytë nga Lindja e Mesme.