VESA LUMA NGACMON FANSAT ME TEASERIN E KËNGËS SË RE “PASOJA”
Written by radio wave on September 10, 2025
Vesa Luma ka paralajmëruar rikthimin e saj muzikor me një projekt të ri që pritet të ngjallë shumë kuriozitet. Këngëtarja ka publikuar një teaser video në profilin e saj në Instagram, duke dhënë sinjalin për këngën dhe videon e re të titulluar “Pasoja”.
Në videon intriguese shihet shkrimi “PASOJA – Coming Soon”, ndërsa në përshkrim Vesa ka zgjedhur një frazë enigmatike: “I thashë qitja flakën”. Pamjet e shkurtëra e tregojnë artisten mes flakëve duke pirë një cigare, duke krijuar një atmosferë të fuqishme vizuale që ka bërë ndjekësit të aludojnë për një projekt të ngarkuar me emocione dhe mesazhe të forta.
Megjithatë, Vesa nuk ka dhënë asnjë detaj tjetër rreth datës së publikimit apo konceptit të këngës, duke e lënë audiencën në pritje dhe duke shtuar më shumë kureshtjen për këtë rikthim.
Fansat kanë reaguar menjëherë me komente mbështetëse dhe entuziaste, duke pritur me padurim materialin e ri muzikor. Tani mbetet vetëm të shihet se çfarë “pasojash” do të sjellë surpriza më e fundit e Vesës.