VESA LUMA NGRE ALARMIN PËR LOJËN “ROBLOX”: “DUKET E PAFAJSHME, POR ËSHTË SHUMË E RREZIKSHME PËR FËMIJËT”
Written by radio wave on October 15, 2025
Këngëtarja e njohur shqiptare Vesa Luma ka bërë një reagim të fortë në rrjete sociale, duke ndarë shqetësimin e saj si nënë për një nga trendet më të përhapura mes fëmijëve – lojën online Roblox.
Në një postim në Instagram, artistja ka shpërndarë një video që flet për ndikimin negativ të kësaj platforme dhe ka treguar përvojën personale me djalin e saj, Lianin, i cili për disa ditë ishte përfshirë në botën virtuale të Roblox-it.
“O Zot, faleminderit që më ke bërë atë nënën që disa e ‘përqeshin’ se i rri shumë gati djalit. Liani qëndroi vetëm disa ditë në Roblox, deri sa e bëmë të kuptojë vetë që është e keqe si lojë për të. Është alarmante situata,” – ka shkruar Vesa në postimin e saj.

Ky reagim i sinqertë është pritur si një thirrje për ndërgjegjësim prindëror, në një kohë kur lojërat online po bëhen gjithnjë e më prezente në jetën e fëmijëve.
Në pamje të parë, Roblox mund të duket si një platformë e pafajshme, argëtuese dhe kreative ku fëmijët mund të ndërtojnë botë virtuale, por pas kësaj fasade fshihen rreziqe serioze. Përdoruesit mund të krijojnë “lojëra brenda lojës”, ku shpesh mungon çdo kontroll mbi përmbajtjen, duke i ekspozuar fëmijët ndaj skenave të papërshtatshme, komunikimeve të rrezikshme dhe varësisë digjitale.

Me këtë reagim, Vesa Luma i bashkohet zërit të shumë prindërve që kërkojnë më shumë kujdes, edukim dhe transparencë në botën online. Ajo thekson se edhe kur diçka duket si “lojë e pafajshme”, pas ekranit mund të fshihet një rrezik shumë më i madh për fëmijët tanë.
“Le të mos i lëmë fëmijët të rriten vetëm në botën virtuale,” – është mesazhi që Vesa i përcjell çdo prindi.