Video nga burgu: Diddy shfaqet në një ditë “të zakonshme pune” mes librave dhe të burgosurve
Written by radio wave on November 25, 2025
Një video e publikuar së fundmi nga burgu federal Fort Dix në New Jersey ka rikthyer emrin e Sean Combs në qendër të vëmendjes. Reperi i njohur si Diddy, që prej muajsh ndodhet pas hekurave, shihet duke kaluar një ditë pune në bibliotekën e institucionit, duke komunikuar me të burgosurit e tjerë dhe duke kryer detyrat e tij të caktuara.
Pamjet, të siguruara nga TMZ, e tregojnë artistin me uniformën e burgut, të qetë dhe bashkëbisedues, ndërsa atmosfera në bibliotekë duket më pak e rënduar nga sa mund të mendohej për një ambient të tillë. Duke gjykuar nga videoja, dita e tij e punës zhvillohej normalisht dhe pa tension.

Combs u arrestua në shtator të vitit 2024, nën akuza të rënda që përfshinin shantazh, trafikim qeniesh njerëzore me qëllim shfrytëzimi dhe krime të lidhura me prostitucionin. Procesi gjyqësor nisi në maj 2025, dhe dy muaj më vonë ai u shpall fajtor vetëm për akuzën e transportimit të njerëzve për qëllime prostitucioni, ndërsa u lirua nga akuzat më të rënda.
Në tetor, gjykata i vendosi një dënim prej katër vitesh e dy muajsh burg, së bashku me një gjobë prej 500 mijë dollarësh dhe detyrimin për të ndjekur programe të shëndetit mendor dhe të varësisë. Por peripecitë e tij nuk mbaruan me kaq. Sipas mediave amerikane, dënimi iu zgjat edhe një muaj shtesë për shkelje të dyshuara të rregullave të brendshme, ku përfshihej konsumimi i alkoolit të bërë në mënyrë artizanale nga të burgosurit.
Raportimet shtojnë se ai dyshohet gjithashtu të ketë zhvilluar një bisedë telefonike të paautorizuar me tre persona, vetëm katër ditë para se të transferohej në një tjetër institucion në New Jersey.
Ndërsa Diddy vazhdon të vuajë dënimin, çdo detaj nga jeta e tij brenda burgut vazhdon të tërheqë vëmendjen e publikut dhe mediave, duke e mbajtur të hapur diskutimin për një prej rasteve më të shumëkomentuara të viteve të fundit në showbiz.