WAVE BREAKFAST SHOW, DEA TOÇI: NËSE DO KISHTE LIGJ PËR DASHURINË, AI DO ISHTE “TË DËNOJ PËRJETËSISHT NË DASHURI”
Written by radio wave on February 14, 2025
Në emisionin “Wave Breakfast Show” me Ergys Bamçi, e ftuara e radhës ishte avokatja dhe poetja Dea Toçi, e cila ndau me dëgjuesit përvojën e saj mes profesionit dhe pasionit për poezinë.
Sipas Dea Toçit, puna si avokate është e ngarkuar dhe kërkon shumë energji, ndaj qetësinë e saj e gjen te poezia. “Poezia është streha ime, aty gjej paqen dhe balancën që më nevojitet,” u shpreh ajo.
Duke folur për Shën Valentinin dhe dhuratat, ajo theksoi se nuk ka rëndësi madhësia apo vlera materiale e dhuratës, por mendimi pas saj. “Mjafton edhe një lule, ajo që ka rëndësi është simbolika dhe ndjenja e pasqyruar në të,” tha ajo.
Për sa i përket dashurisë së vërtetë, Dea Toçi theksoi se ajo nuk përfundon kurrë, madje vazhdon edhe në jetën e përtejme.
Moderatori i emisionit, Ergys Bamçi, e pyeti se kush janë më romantikë, burrat apo gratë. Sipas Toçit, kjo varet nga karakteri i individit, megjithatë, shpesh ata që kanë ndjenjën e romanticitetit e fshehin atë.
Një pyetje tjetër interesante nga Bamci ishte: “Nëse dashuria do të kishte një ligj, cili do të ishte?” Dea Toçi u përgjigj me një frazë poetike: “Ligji do të ishte: ‘Të dënoj përjetësisht në dashuri’.”
Ajo gjithashtu diskutoi mbi martesën, duke vënë në dukje se mosha e martesës është rritur, kryesisht për arsye ekonomike, gjë që ka ndikuar në zbehjen e fenomenit të martesës. “Kur je mbi 35 vjeç, mund të ndodhë që të mos zgjedhësh fare partner për t’u martuar,” shtoi ajo.
Nga përvoja e saj si avokate, Toçi ka vënë re se çiftet e reja shpesh ndahen shpejt, por ajo thekson se nuk duhet të qëndrosh në një marrëdhënie ku nuk je i lumtur. “Për këtë arsye ekziston divorci,” u shpreh ajo me bindje.
Në fund të intervistës, Dea Toçi dha një mesazh për Shën Valentinin: “Uroj që të gjithë ta gjejnë dashurinë e vërtetë, sepse dashuria sjell paqen, por edhe pasionin për jetën.”