WAVE BREAKFAST SHOW, KLODIANA ÇOBO DESTINACIONET MË TË PREFERUARA PËR SHËN VALENTIN: PARISI, ROMA DHE ARABIA SAUDITE NË KRYE
Written by radio wave on February 14, 2025
Në emisionin e mëngjesit “Wave Breakfast Show” me Ergys Bamçi, e ftuara e radhës ishte ekspertja e udhëtimeve, Klodiana Çobo. Ajo ndau me dëgjuesit trendet më të fundit të udhëtimeve për Ditën e Shën Valentinit dhe destinacionet më të preferuara nga çiftet shqiptare.
Sipas Çobos, për këtë ditë të veçantë, çiftet zakonisht zgjedhin destinacione të largëta dhe romantike si Roma, Verona, Stambolli dhe Parisi. Ndër këto, kryeson Parisi, i njohur si qyteti i dashurisë, ku shumë çifte shkojnë me unazë në xhep për të bërë propozime martesore.
I pyetur nga moderatori i emisionit, Ergys Bamçi, nëse shqiptarët janë një popull romantik dhe kush merr më shumë iniciativë për të udhëtuar, djemtë apo vajzat, Çobo u përgjigj se shqiptarët janë mjaft romantikë, por vajzat janë ato që marrin më shpesh iniciativën për të organizuar udhëtime të tilla.
Duke folur për trendet e udhëtimeve gjatë kësaj periudhe, Çobo theksoi se kryesisht preferohen udhëtimet luksoze, pasi festa e Shën Valentinit lidhet me përvoja të veçanta dhe ekskluzive. Gjithashtu, paketat turistike që ofrohen deri në fund të shkurtit për muajt e verës janë më të leverdishme dhe më të kërkuarat.
Një tjetër fenomen interesant është zgjedhja e destinacioneve nga pasanikët shqiptarë. Sipas Çobos, një pjesë e tyre zgjedhin të kalojnë këtë festë në Dhërmi, ndërsa të tjerë preferojnë hotelet luksoze në Turqi. Një risi e viteve të fundit është rritja e interesit për të vizituar Arabinë Saudite, e cila po shndërrohet në një destinacion gjithnjë e më të preferuar.
Në përfundim të intervistës, Klodiana Çobo përshëndeti të gjithë dëgjuesit e Radio Wave me një poezi nga poeti i njohur skocez, Robert Burns, duke i dhënë një notë artistike dhe të ndjerë këtij diskutimi mbi dashurinë dhe udhëtimet.