WAVE BREAKFAST SHOW, MARIGLENA HASALLA: “INDUSTRIA E KLIPEVE NË SHQIPËRI ËSHTË PRISHUR”
Written by radio wave on February 20, 2025
Sot në “Wave Breakfast Show” me Ergys Bamçin, patëm një bisedë interesante me Mariglena Hasallën, e cila drejton prej katër vitesh një agjenci casting të suksesshme, duke bashkëpunuar me emra të njohur nga Kosova dhe Shqipëria. Ajo tregoi se ky vit ka nisur me vrull, duke filluar me klipin e Dafina Zeqirit, dhe se Kosova është shumë më përpara në industrinë e videoproduksioneve, duke investuar më shumë në cilësi dhe standarde bashkëkohore. Në Shqipëri, sipas saj, tregu është prishur për shkak të mungesës së profesionalizmit, përkushtimit dhe ideve të reja, ndërsa shumë kompani të vjetra funksionojnë kryesisht falë emrit që kanë krijuar ndër vite. Ajo theksoi se buxheti i artistëve ndikon ndjeshëm në cilësinë e produksioneve, pasi përveç pagesave të aktorëve dhe figurantëve, duhen mbuluar edhe shpenzimet për skenografinë dhe realizimin e klipit.
Ndër projektet më të mëdha ku ka kontribuar me agjencinë e saj janë bashkëpunimet me artistë ndërkombëtarë si Ava Max, Azet, Dardan dhe Hava. Duke folur për përzgjedhjen e personazheve për klipet muzikore, ajo tha se një nga problemet më të mëdha që po hasin është përdorimi i tepërt i filtrave nga vajzat, të cilat shpesh duken ndryshe nga realiteti kur takohen nga afër. Ndërkohë, vajzat e huaja që jetojnë në Shqipëri, si brazilianet, ruset apo tajlandezet, janë më origjinale dhe duken më natyrale.
Për temën e ditës “Kush jep më shumë në një lidhje – meshkujt apo femrat?”, Mariglena tha se dinamika e çifteve ka ndryshuar me kalimin e kohës, por investimi në një marrëdhënie varet nga individi dhe jo nga gjinia. Ajo diskutoi gjithashtu ndikimin e suksesit profesional në marrëdhënie, duke vënë në dukje se karriera mund të ndikojë si pozitivisht, ashtu edhe negativisht te një çift.
Në një bisedë më të lirshme, ajo u përgjigj edhe disa pyetjeve argëtuese, duke zbuluar se, po të kishte një superfuqi për një ditë, do të zgjidhte të udhëtonte në kohë, ndërsa për një film mbi jetën e saj, do të dëshironte që ta luante Angelina Jolie. E pyetur për artistin më të vështirë për t’u menaxhuar në set, ajo u shmang me diplomaci, por tha se ka pasur situata epike në prapaskena. Sa i përket “Big Brother VIP”, ajo u shpreh se fitues e sheh Gjestin, pasi ai shpreh shumë përmes gjuhës së trupit dhe veprimeve, pa pasur nevojë të përdorë fjalë apo të ulë imazhin e tij siç po bëjnë disa të tjerë.