WILL SMITH KRITIKOHET PËR FLIRTIM ME INDIA MARTINEZ NË SKENË
Written by radio wave on February 26, 2025
Will Smith është vënë në qendër të kritikave nga fansat për një sjellje të konsideruar të papërshtatshme gjatë një performance në ndarjen e çmimeve “Premio Lo Nuestro” në Miami. Aktori dhe reperi i njohur u ngjit në skenë për të interpretuar këngën “First Love” me këngëtaren spanjolle India Martinez, por ajo që ndodhi gjatë performancës shkaktoi një valë reagimesh.
Teksa performonin, Smith dhe Martinez shkëmbyen përqafime dhe puthje, ndërsa në një moment aktori vendosi dorën e tij në të pasmet e këngëtares. Ky veprim u kap nga kamerat dhe nuk kaloi pa u vënë re nga publiku, duke nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale.
Kritikat ndaj aktorit janë bërë edhe më të forta për shkak të spekulimeve të vazhdueshme mbi marrëdhënien e tij me gruan e tij, aktoren Jada Pinkett Smith. Prej kohësh, në media flitet për probleme mes çiftit, dhe shumë prej fansave e kanë cilësuar sjelljen e Smithit si të papërshtatshme, sidomos në këtë periudhë.
Deri tani, as Will Smith dhe as India Martinez nuk kanë reaguar për polemikat e krijuara, ndërsa fansat vazhdojnë të diskutojnë mbi natyrën e vërtetë të kësaj afërsie në skenë.