Nga talenti rrugëve të Londrës te fama globale, Ed Sheeran mbush 35 vjeç
Written by radio wave on February 17, 2026
Këngëtari dhe kompozitori britanik Ed Sheeran feston sot, më 17 shkurt 2026, 35-vjetorin e lindjes. Gjatë më shumë se një dekade në skenë, ai është shndërruar në një nga emrat më të fuqishëm të muzikës pop, me miliona fansa dhe suksese të njëpasnjëshme në mbarë botën.
Sheeran ka lindur në Hebden Bridge dhe është rritur në Framlingham. Në moshë të re vendosi të zhvendosej në Londër për të ndjekur ëndrrën e tij muzikore. Fillimet e tij lidhen me publikimin e projekteve të pavarura, mes tyre EP-ja No. 5 Collaborations Project, e cila i hapi dyert drejt industrisë dhe tërhoqi vëmendjen e figurave të njohura si Elton John dhe Jamie Foxx. Më pas ai nënshkroi kontratë me Asylum Records.
Albumi i parë + i solli sukses të menjëhershëm falë këngëve si The A Team dhe Lego House, duke u certifikuar shumëfish platinium në Mbretërinë e Bashkuar. Ai u shpërblye me dy Brit Awards në vitin 2012, ndërsa në 2014 fitoi çmimin për artistin e ri më të mirë në Grammy Awards.
Gjatë karrierës së tij, Sheeran ka bashkëpunuar me yje ndërkombëtarë si Taylor Swift dhe ka shkruar këngë për One Direction. Albumi x e konsolidoi edhe më shumë në tregun global, duke kryesuar listat UK Albums Chart dhe Billboard 200. Turneu për promovimin e këtij projekti përfshiu edhe tri koncerte të mëdha në Wembley Stadium.
Në jetën private, viti 2020 shënoi një moment të rëndësishëm për artistin me lindjen e vajzës së tij, Lyra Antarctica Seaborn Sheeran. Sot, ai vazhdon të mbetet një nga figurat më ndikues të muzikës bashkëkohore, ndërsa fansat në gjithë botën festojnë suksesin dhe rrugëtimin e tij artistik.