Current track

Title

Artist

Mossi sulmon Burim Pacollin në Prishtinë, gazetari: “Ky është sulm ndaj fjalës së lirë”

Written by on March 3, 2026

Ngjarja e ndodhur në Prishtinë ka marrë një tjetër zhvillim pasi është konfirmuar se në incidentin ndaj gazetarit Burim Pacolli është përfshirë reperi Mossi, emri i vërtetë Gramos Krasniqi.

Sipas deklarimit publik të vetë gazetarit, sulmi ka ndodhur rreth orës 15:30, në momentin kur ai ndodhej në një bankë për shërbime personale. Pacolli ka bërë të ditur se është sulmuar nga Mossi, i shoqëruar nga tre deri në katër persona të tjerë.

“Sot, rreth orës 15:30 jam sulmuar prej Mossit, i cili ka qenë në shoqërinë e 3-4 personave të tjerë. Rasti është raportuar në polici. Organet kompetente veprojnë sipas procedurave,” ka deklaruar ai, duke konfirmuar se çështja tashmë është në duart e autoriteteve.

Ngjarja dyshohet të lidhet me analiza dhe recensione muzikore që Pacolli kishte publikuar së fundmi, përfshirë komente mbi disa “freestyle” të Meriton Mjekiqit, të trajtuara në kuadër të kritikës muzikore. Ky dyshohet të jetë motivi që çoi në përballjen fizike.

Pas incidentit ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke dënuar sulmin dhe duke kërkuar hetim të plotë të rastit. Organizata i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës që të identifikojë përgjegjësit dhe të zbardhë rrethanat.

Në reagimin e tij, Pacolli theksoi se ngjarja tejkalon dimensionin personal. Ai falënderoi të gjithë ata që i kanë shkruar pas incidentit dhe shtoi se sulmi ndaj një gazetari është sulm ndaj vetë lirisë së shprehjes.

“Kur sulmohet një gazetar, nuk është sulm veç ndaj individit, por ndaj idesë se dikush mund të flasë në transparencë absolute dhe në shërbim të diskursit publik,” u shpreh ai, duke e cilësuar rastin si një goditje ndaj fjalës së lirë.


Reader's opinions

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Current track

Title

Artist