Britney Spears në telashe me ligjin, arrestohet në Kaliforni për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit
Written by radio wave on March 6, 2026
Këngëtarja e njohur Britney Spears është përballur sërish me probleme me ligjin në California, pasi është arrestuar për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit.
Sipas raportimeve të publikuara nga Daily Mail, artistja 44-vjeçare është ndaluar nga autoritetet rreth orës 21:30 të mbrëmjes së të mërkurës në Ventura County.
Të dhënat zyrtare nga Zyra e Sherifit të këtij qarku tregojnë se Spears është marrë në paraburgim për një periudhë të shkurtër dhe më pas është liruar në orët e para të mëngjesit të së enjtes.

Ky incident vjen vetëm pak kohë pasi këngëtarja ishte përfshirë në një tjetër situatë që lidhej me rregullat e qarkullimit rrugor. Muajin e kaluar, Spears u fotografua duke drejtuar automjetin e saj tip Mercedes-Benz SUV, ndërsa mbante telefonin pranë fytyrës.
Pamjet janë realizuar më 12 shkurt në Los Angeles, ku sipas raportimeve ajo dukej se po fliste në telefon gjatë vozitjes, një veprim që konsiderohet shkelje e ligjit në shtetin e Kalifornisë.
Ngjarja e fundit ka rikthyer edhe një herë në vëmendje jetën e trazuar jashtë skenës të yllit të pop-it, e cila prej vitesh është shpesh pjesë e lajmeve jo vetëm për karrierën muzikore, por edhe për incidentet personale që përfundojnë në faqet e mediave.