Current track

Title

Artist

Kur pseudo-VIP-at harrojnë historinë

Written by on March 16, 2026

Një moment i fundit në Big Brother VIP ka rikthyer edhe një herë debatin për nivelin e personazheve që shfaqen në shumë emisione shqiptare. Gjatë një pyetësori nga “Vëllai i Madh”, konkurrenti DJ Gimbo u përball me një pyetje bazike: në cilin vit është shpallur pavarësia e Kosovës.

Përgjigjja e tij u bë menjëherë virale. Ai përmendi vitin 2007, pastaj 2009, duke përfunduar me “kuku për mu”. Në realitet, Shpallja e Pavarësisë së Kosovës ka ndodhur më 17 shkurt 2008 – një datë që për shqiptarët ka peshë historike.

Por ky nuk është një rast i izoluar. Në të njëjtin format televiziv, shumë prej banorëve nuk kanë ditur t’i përgjigjen as pyetjeve më elementare të kulturës së përgjithshme. Një nga momentet që shkaktoi reagime të shumta ishte fakti se shumica e tyre nuk dinin emrin e vërtetë të Nene Terezes, e cila njihet si Anjezë Gonxhe Bojaxhiu.

Edhe më paradoksal u bë momenti kur Selin Bollati, e cila shpesh është prezantuar në publik si një nga banoret më të artikuluara dhe intelektuale të shtëpisë, dështoi bindshëm në testin e njohurive të organizuar brenda programit. Për shumë shikues, përgjigjet e saj u dukën më shumë qesharake sesa thjesht një gafë momentale.

Këto episode po rikthejnë një debat të vjetër: çfarë kriteresh përdoren për të përzgjedhur “VIP-at” që mbushin ekranet shqiptare? Kur personazhet që prezantohen si figura publike nuk arrijnë t’u përgjigjen pyetjeve elementare për historinë apo figurat kombëtare, problemi nuk është më vetëm një moment televiziv, por një pasqyrë e standardeve gjithnjë e më të ulëta të spektaklit.

Në një kohë kur televizioni ka ndikim të madh te publiku, sidomos te të rinjtë, promovimi i personazheve që ofrojnë më shumë gafë sesa përmbajtje po shihet nga shumëkush si një simptomë e qartë e krizës së cilësisë në një pjesë të mediave shqiptare.


Reader's opinions

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Current track

Title

Artist