Nga yll në pranga: momentet që Justin Timberlake nuk donte t’i shihte askush bëhen publike
Written by radio wave on March 23, 2026
Një video që për shumë kohë u përpoq të mbahej larg syrit të publikut, tashmë ka dalë në dritë, duke rikthyer në fokus një nga episodet më të sikletshme për Justin Timberlake.
Pamjet i përkasin arrestimit të tij në verën e vitit 2024 në Hamptons, pranë New York City, ku artisti u ndalua nga policia pasi dyshohej se kishte shkelur rregullat e qarkullimit dhe po drejtonte mjetin nën efektin e alkoolit.
Në video, Timberlake shfaqet i tensionuar teksa përpiqet të kalojë testet e koordinimit, si ecja në vijë të drejtë apo qëndrimi në një këmbë. Në një moment ai dëgjohet të thotë se testet janë të vështira, ndërsa situata bëhet edhe më e sikletshme kur përpiqet të shpjegojë praninë e tij duke theksuar: “Jam në turne botëror”.
Pjesa më e fortë e pamjeve është momenti kur ai shoqërohet drejt makinës së policisë, i habitur dhe i paqartë për arrestimin, për të kuptuar më pas se do të kalonte natën në paraburgim.
Fillimisht, ekipi ligjor i këngëtarit tentoi të bllokonte publikimin e videos, duke argumentuar se mund të dëmtonte imazhin e tij. Por përfundimisht, materiali u konsiderua i ligjshëm për t’u bërë publik.
Ky episod mori edhe një kthesë zyrtare disa muaj më vonë, kur Justin Timberlake pranoi fajësinë për një akuzë më të lehtë. Si pasojë, ai u gjobit, kreu orë shërbimi në komunitet dhe iu pezullua patenta për një periudhë të caktuar.
Një ngjarje që dëshmon se edhe figurat më të mëdha të skenës nuk i shpëtojnë momenteve që mund të lënë njollë – sidomos kur kamerat janë gjithmonë gati.