Shqipëria rrëzohet në Varshavë, Polonia i shuan ëndrrën kuqezi me përmbysje
Written by radio wave on March 27, 2026
Ëndrra kuqezi për të vazhduar rrugëtimin drejt Kupës së Botës mori fund në Varshavë. Shqipëria u mposht 2-1 nga Polonia në gjysmëfinalen e fazës “play-off”, në një ndeshje ku kuqezinjtë e nisën mbarë, por e mbyllën me zhgënjim.
Skuadra shqiptare kaloi e para në avantazh në pjesën e parë me golin e Arbër Hoxhës, duke ndezur shpresat për një mbrëmje historike. Por gjithçka ndryshoi pas pushimit, kur Polonia u kthye më agresive dhe arriti ta përmbysë rezultatin.
Momentet vendimtare të ndeshjes erdhën pak para golit të barazimit të polakëve. Shqipëria pati dy mundësi të pastra për ta “vrarë” ndeshjen, fillimisht me Laçin dhe më pas me Pilos, por të dy rastet u shpërdoruan në mënyrë të pafalshme.
Më pas, Polonia përfitoi nga luhatjet e kuqezinjve. Robert Lewandowski barazoi shifrat në 1-1, ndërsa Zielinski vulosi përmbysjen me një goditje të fuqishme nga jashtë zone, që nuk i la asnjë shans Strakoshës.
Me këtë fitore, Polonia siguron finalen e “play-off”-it, ku do të përballet me Suedinë, e cila triumfoi 1-3 ndaj Ukrainës.
Në ndeshjet e tjera, Danimarka dhuroi spektakël duke mposhtur 4-0 Maqedoninë e Veriut, ndërsa Italia fitoi 2-0 përballë Irlandës së Veriut, duke konfirmuar formën e saj si një nga favoritët kryesorë.