Current track

Title

Artist

Përqafimi që foli më shumë se goli: Yildiz ngushëllon Zhegrovën pas eliminimit të Kosovës

Written by on April 1, 2026

Kombëtarja e Kosovës e ka mbyllur ëndrrën për kualifikim në Kupën e Botës 2026, pasi u mposht në shtëpi me rezultat minimal 1-0 nga Turqia, në finalen e playoff-it.

Ndeshja u vendos në pjesën e dytë, kur sulmuesi Kerem Akturkoglu shënoi golin e vetëm të takimit në minutën e 53-të, duke i dhënë Turqisë biletën e shumëkërkuar për në Botëror.

Në këtë duel, nga minuta e parë u aktivizua edhe talenti i Juventusit, Kenan Yildiz, i cili ishte një nga figurat më të përfolura të skuadrës turke. Ai qëndroi në fushë deri në minutën e 89-të, kur u zëvendësua nga trajneri.

Ndryshe ishte situata për Edon Zhegrovën, i cili nuk e nisi takimin si titullar dhe u fut në lojë vetëm në pjesën e dytë. Futbollisti kosovar u aktivizua në minutën e 71-të dhe u përpoq të sjellë energji në fazën ofensive, por koha e shkurtër dhe organizimi i Turqisë nuk i lanë hapësirë për të bërë diferencën.

Megjithatë, pas përfundimit të ndeshjes, më shumë se festa e turqve, vëmendjen e mediave dhe tifozëve e mori një moment sportiv që tregoi respekt dhe shoqëri të vërtetë.

Sapo e pa Zhegrovën të dëshpëruar, Kenan Yildiz vrapoi drejt tij dhe e përqafoi, duke e ngushëlluar për eliminimin. Një gjest i thjeshtë, por që tregoi karakter dhe lidhjen që dy futbollistët kanë krijuar në Juventus, pavarësisht se në këtë mbrëmje ishin në anë të kundërta.

Dyshja pritet të rikthehet sërish në aksion së bashku të hënën, kur Juventusi do të luajë si nikoqir ndaj Genoas në “Allianz Stadium”, duke lënë pas emocionet e kombëtareve dhe duke u fokusuar te objektivat e klubit.


Reader's opinions

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Current track

Title

Artist