Current track

Title

Artist

Botërori 2026 kompletohet: 48 kombëtare, një format i ri dhe shumë histori për t’u shkruar

Written by on April 1, 2026

Gjithçka është gati për Kupën e Botës 2026, pasi lista e plotë e kombëtareve pjesëmarrëse është mbyllur zyrtarisht. Turneu do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në tri shtete organizatore: SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Ky edicion do të jetë i veçantë jo vetëm për shkak të organizimit në tre vende, por edhe sepse për herë të parë në histori Botërori do të luhet me 48 ekipe. Kombëtaret do të ndahen në 12 grupe, duke sjellë një numër më të madh ndeshjesh dhe më shumë mundësi për surpriza.

Raundet e fundit të kualifikimeve dhuruan emocione dhe rezultate që pak kush i kishte parashikuar. Në Evropë, Turqia e siguroi pjesëmarrjen pasi eliminoi Kosovën, ndërsa Suedia arriti të kalojë Poloninë. Një nga rezultatet më të bujshme erdhi nga Bosnja dhe Hercegovina, e cila e la jashtë Italinë pas një serie penalltish, ndërkohë që Republika Çeke e eliminoi Danimarkën në një tjetër duel dramatik.

Por momenti më historik erdhi nga kontinenti aziatik, ku Iraku arriti të bëhet pasagjeri i fundit i Botërorit. Në finalen e kualifikimeve ndërkontinentale të zhvilluar në Monterrey, irakianët fituan 2-1 ndaj Bolivisë, duke siguruar pjesëmarrjen e parë në Kupën e Botës pas vitit 1986.

Ndërkohë, edhe Republika Demokratike e Kongos e kompletoi mozaikun e 48 skuadrave, pasi triumfoi 1-0 ndaj Xhamajkës pas vazhdimeve, duke marrë një vend mes elitës botërore.

Me përfundimin e kualifikimeve, janë bërë të ditura edhe grupet e turneut, të cilat përmbajnë përballje shumë interesante dhe kombëtare me ambicie të mëdha.

Grupi A: Meksika, Afrika e Jugut, Koreja e Jugut, Republika Çeke
Grupi B: Kanadaja, Bosnja dhe Hercegovina, Katari, Zvicra
Grupi C: Brazili, Maroku, Haiti, Skocia
Grupi D: SHBA, Paraguai, Australi, Turqi
Grupi E: Gjermania, Kurasao, Bregu i Fildishtë, Ekuador
Grupi F: Holanda, Japonia, Suedia, Tunizia
Grupi G: Belgjika, Egjipti, Irani, Zelanda e Re
Grupi H: Spanja, Kepi i Gjelbër, Arabia Saudite, Uruguai
Grupi I: Franca, Senegali, Iraku, Norvegjia
Grupi J: Argjentina, Algjeria, Austria, Jordania
Grupi K: Portugalia, RD e Kongos, Uzbekistani, Kolumbia
Grupi L: Anglia, Kroacia, Gana, Panama

Me këtë format të ri dhe me kaq shumë kombëtare të forta në garë, Botërori 2026 pritet të sjellë një verë të gjatë futbolli, ku çdo ndeshje mund të kthehet në histori.


Reader's opinions

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Current track

Title

Artist