Tottenham i mbyll derën Kanye West: Refuzohet koncerti në stadium për shkak të deklaratave të tij
Written by radio wave on April 7, 2026
Reperi Kanye West ka tentuar të rikthehet fuqishëm në skenën muzikore me një seri koncertesh të mëdha në Londër, por një nga kërkesat e tij kryesore është refuzuar. Sipas raportimeve, West kishte kërkuar të performonte në stadiumin e klubit Tottenham Hotspur, por drejtuesit e klubit nuk e kanë pranuar propozimin.
Arsyeja e refuzimit lidhet me historinë dhe lidhjet e Tottenhamit me komunitetin hebraik të Londrës, faktor që duket se ka qenë vendimtar në vendimin e klubit për të mos lejuar një event të tillë në ambientet e tij.
Ky refuzim ka ndodhur përpara se Kanye West të ishte planifikuar si pjesë e festivalit Wireless, ku ai pritej të performonte për tri net në muajin korrik. Megjithatë, përfshirja e tij në festival ka shkaktuar reagime të shumta dhe polemika në opinionin publik.
Situata u tensionua edhe më shumë pasi Pepsi vendosi të tërhiqej nga sponsorimi i festivalit, në shenjë proteste ndaj performancës së West, për shkak të deklaratave të tij të mëparshme të konsideruara antisemite.
Debati u fuqizua edhe pas deklaratës së udhëheqësit të Partisë Laburiste, Sir Keir Starmer, i cili u shpreh se ishte “thellësisht shqetësuese” që Kanye West ishte përfshirë në një event të tillë, pavarësisht deklaratave të tij të mëparshme dhe këngëve që kanë nxitur reagime të forta, përfshirë edhe një tekst ku ai lavdëronte udhëheqësin nazist.
Një burim i afërt me negociatat ka zbuluar se ekipi i reperit fillimisht synonte të organizonte disa koncerte të mëdha në Londër si pjesë e një rikthimi të planifikuar, dhe stadiumi i Tottenhamit ishte zgjedhja e parë. Por pasi klubi u kontaktua, përgjigjja ishte negative.
Sipas burimit, drejtuesit e Tottenhamit nuk e konsideruan as mundësinë e një performance të West në stadium, duke qenë se do të ishte në kundërshtim me historinë dhe identitetin e klubit. Vetëm pas këtij refuzimi, ekipi i reperit iu drejtua organizatorëve të festivalit Wireless, të cilët e pranuan ofertën.