Dua Lipa përplaset me Samsung, këngëtarja kërkon 15 milionë dollarë për përdorim të paautorizuar të imazhit
Written by radio wave on May 11, 2026
Ylli shqiptar me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, është përfshirë në një betejë të fortë ligjore me gjigantin teknologjik Samsung Electronics, duke kërkuar të paktën 15 milionë dollarë dëmshpërblim për atë që artistja e konsideron një shkelje serioze të të drejtave të saj.
Sipas dokumenteve të paraqitura në gjykatën federale në California, fituesja e çmimeve Grammy Awards pretendon se Samsung ka përdorur një imazh të saj të mbrojtur me të drejta autoriale në paketimet e televizorëve që janë shpërndarë në dyqanet me pakicë në të gjithë Shtetet e Bashkuara, pa marrë asnjë autorizim apo licencë zyrtare.
Në padi thuhet se kompania, duke qenë e vetëdijshme për famën globale dhe ndikimin komercial të artistes, e ka vendosur fotografinë e saj në mënyrë të dukshme në pjesën e përparme të kutive të kartonit, duke e përdorur si pjesë të strategjisë së marketingut për të rritur shitjet e produkteve.
Sipas ekipit ligjor të artistes, kjo nuk ka qenë një gabim i rastësishëm. Dosja pretendon se përfaqësuesit e Dua Lipës kanë dërguar disa kërkesa zyrtare që përdorimi i imazhit të ndalej menjëherë, por sipas tyre kompania nuk ka reaguar dhe produktet kanë vazhduar të qëndrojnë në treg.
Padia shkon edhe më tej, duke pretenduar se Samsung ka injoruar në mënyrë të përsëritur paralajmërimet dhe ka vazhduar shpërndarjen e produkteve që përmbajnë imazhin e artistes në të gjithë vendin, gjë që sipas saj përbën një shkelje të vazhdueshme dhe të qëllimshme.
Nëse pretendimet provohen në gjykatë, kjo mund të kthehet në një nga përplasjet më të bujshme mes botës së muzikës dhe industrisë së teknologjisë këtë vit, me Dua Lipën që duket e vendosur ta çojë çështjen deri në fund.