Katy Perry konfirmon Sunny Hill-in
Written by radio wave on June 5, 2026
Sunny Hill Festival ka zbuluar një nga surprizat më të mëdha të këtij edicioni: superylli i muzikës pop, Katy Perry, do të ngjitet në skenën e festivalit në Prishtinë.
Lajmi u bë publik në një mënyrë mjaft origjinale, përmes një video-bisede mes Dua Lipës dhe artistes amerikane. Gjatë bisedës, Katy la të kuptohej se turneu i saj veror do ta sjellë për herë të parë edhe në Kosovë, duke konfirmuar kështu pjesëmarrjen në festivalin më të madh muzikor në rajon.
Artistja nuk e fshehu entuziazmin për vizitën e saj të parë në Prishtinë, duke shprehur emocionet për takimin me publikun dhe fansat shqiptarë. Njoftimi u prit me reagime të shumta në rrjetet sociale, ku adhuruesit e festivalit e cilësuan si një nga emrat më të mëdhenj të sjellë ndonjëherë në Sunny Hill.
Me një karrierë të mbushur me hite globale si “Firework”, “Dark Horse”, “Roar” dhe “I Kissed a Girl”, Katy Perry mbetet një nga figurat më të suksesshme të muzikës pop ndërkombëtare.
Përveç suksesit në muzikë, këngëtarja ka qenë së fundmi në qendër të vëmendjes edhe për eksperiencat e saj unike jashtë skenës, përfshirë pjesëmarrjen në një fluturim suborbital që i dha mundësinë të përjetonte për pak minuta hapësirën.
Me konfirmimin e Katy Perry-t, Sunny Hill Festival shton një tjetër emër prestigjioz në listën e artistëve dhe ngre edhe më shumë pritshmëritë për edicionin e këtij viti.