Nis Magjia e Botërorit 2026, të gjithë sytë në amerikën e veriut
Written by radio wave on June 11, 2026
Pritjes i vjen fundi. Sonte starton zyrtarisht Kupa e Botës 2026, turneu që premton të thyejë çdo rekord dhe të mbajë të mbërthyer miliarda tifozë në mbarë globin për më shumë se një muaj.
Për herë të parë në histori, Botërori organizohet nga tre shtete njëkohësisht – Shtetet e Bashkuara, Meksika dhe Kanadaja – ndërsa edicioni i këtij viti sjell edhe formatin e ri me 48 kombëtare pjesëmarrëse. Me 104 ndeshje në program, spektakli pritet të jetë më i madh se kurrë.
Ndeshja hapëse zhvillohet në stadiumin ikonik Azteca të Mexico City, ku vendësit e Meksikës do të përballen me Afrikën e Jugut. Përpara sfidës, tifozët do të shijojnë një ceremoni madhështore hapjeje me muzikë, performanca artistike dhe atmosferë festive.

Në mesin e favoritëve për trofeun renditen Spanja dhe Franca, dy kombëtare që vijnë me skuadra të mbushura me talent dhe ambicie. Vëmendja është veçanërisht te sensacioni spanjoll Lamine Yamal, ndërsa Franca mbështetet te klasi dhe eksperienca e Kylian Mbappé.
Natyrisht, gara për trofeun nuk mbaron aty. Argjentina kampione në fuqi, Brazili, Anglia dhe Portugalia konsiderohen gjithashtu pretendente serioze për të ngritur kupën më të lakmuar të futbollit.
Ky Botëror mund të jetë edhe skena e fundit për dy nga ikonat më të mëdha të sportit. Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo pritet të zhvillojnë kapitullin e fundit të aventurës së tyre në Kupën e Botës, duke i dhënë turneut një emocion shtesë.
Formati i zgjeruar ka hapur derën për kombëtare debutuese dhe histori të reja, duke rritur mundësinë për surpriza që gjithmonë kanë qenë pjesë e magjisë së Botërorit.
Nga sonte, futbolli bëhet sërish qendra e botës. Emocionet, dramat, golat dhe momentet historike janë gati të shkruhen në edicionin më të madh që ka njohur ndonjëherë Kupa e Botës.