Current track

Title

Artist

“Nga diss-et te grushtet” – Cllevio habit në GJKKO: Rrëfen miqësinë me Laert Haxhiun dhe përplasjen dramatike me Noizy-n

Written by on June 25, 2026

Reperi i njohur Kleviol Ahmeti, i njohur për publikun si Cllevio, ka rikthyer vëmendjen mbi veten me dëshminë e tij në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), ku po zhvillohet procesi ndaj anëtarëve të grupit të Laert Haxhiut.

Përballë trupit gjykues, Cllevio sqaroi se nuk ka asnjë lidhje me të pandehurit, ndërsa pranoi se me Laert Haxhiun ka pasur një miqësi të hershme.

“Jemi rritur bashkë, shtëpitë i kemi shumë pranë dhe njihemi familjarisht. Por që prej daljes sime nga burgu në vitin 2020 nuk jemi takuar dhe nuk kemi pasur asnjë kontakt,” deklaroi ai.

Por momenti që tërhoqi më shumë vëmendje ishte rrëfimi për konfliktin e bujshëm me reperin Noizy. Cllevio tregoi se gjithçka nisi si një strategji artistike për të fituar famë.

Sipas tij, pasi kishte parë prej vitesh përplasjet e Noizy-t me Unikkatilin, vendosi t’i përgjigjej me këngë diss.

“Kur dola nga burgu doja të bëhesha i famshëm. Fillova ta ngacmoja artistikisht me diss dhe funksionoi. U bëra i njohur dhe kjo më pëlqente,” u shpreh ai.

Megjithatë, sipas Cllevios, më vonë vendosi t’i jepte fund konfliktit dhe shkoi personalisht në Durrës për t’i kërkuar falje Noizy-t. Por, sipas dëshmisë së tij, situata mori një kthesë të dhunshme.

Reperi pretendoi se sapo mbërriti në lokalin “Zins” në Currila, u përball me Noizy-n dhe disa persona të tjerë, të cilët e goditën fizikisht.

“Hoqa syzet për respekt dhe në atë moment më goditi me grusht. Më pas u sulmova edhe nga disa persona të tjerë. Pësova dëmtime në kokë dhe në brinjë, ndërsa një nga shokët e mi humbi disa dhëmbë,” deklaroi ai.

Cllevio shtoi se ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë dhe se, pavarësisht asaj që ndodhi, nuk ka menduar kurrë të hakmerret ndaj reperit.

Në fund të dëshmisë, ai u pyet edhe për shpërthimin me tritol në lokalin e Noizy-t. Cllevio tha se për ngjarjen kishte dëgjuar vetëm nga të burgosurit gjatë kohës që vuante dënimin dhe se nuk kishte dijeni se kush mund ta kishte organizuar.

“Kam bërë vetëm një hamendësim me veten, por nuk kam asnjë informacion. Askush nuk më ka thënë që Laert Haxhiu ka lidhje me atë ngjarje,” përfundoi reperi.


Reader's opinions

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Current track

Title

Artist