Harry Styles thyen rekordin në Wembley
Written by radio wave on July 8, 2026
Harry Styles ka shkruar një tjetër kapitull të rëndësishëm në karrierën e tij, duke hyrë zyrtarisht në historinë e Guinness World Records. Këngëtari britanik u shpall rekordmen pasi realizoi 12 koncerte radhazi me të gjitha biletat e shitura në Stadiumin Wembley, një arritje që nuk ishte regjistruar më parë nga asnjë artist.
Me këtë sukses, Styles la pas rekordin e mëparshëm të vendosur nga Coldplay, të cilët kishin mbajtur 10 net koncertesh në të njëjtin stadium. Sipas Guinness World Records, seria prej 12 performancash dëshmon ndikimin e jashtëzakonshëm të artistit në skenën muzikore dhe lidhjen e fortë që ai vazhdon të ketë me publikun.
Turneu “Together, Together” nisi pjesën londineze më 12 qershor dhe u mbyll me një koncert spektakolar para afro 80 mijë spektatorëve, ku emocionet nuk munguan.
Gjatë mbrëmjes së fundit, Harry Styles u ndal për të kujtuar fillimet e tij me One Direction, grupin që e bëri të famshëm në mbarë botën. Ai falënderoi ish-anëtarët Niall Horan, Louis Tomlinson, Zayn Malik dhe kujtoi me emocion Liam Payne, duke theksuar se pa ta nuk do të kishte arritur kurrë deri në këtë pikë të karrierës.
Artisti kujtoi gjithashtu se 16 vite më parë kishte marrë pjesë në audicionet e “The X Factor”, vetëm pak metra larg Wembley-t, një moment që, sipas tij, i ndryshoi përgjithmonë jetën. Sot, në të njëjtin vend, ai feston një rekord historik që e konfirmon si një nga emrat më të mëdhenj të muzikës pop të kohës.