Ndahet nga jeta sam neill, legjenda e “Jurassic Park”
Written by radio wave on July 13, 2026
Bota e kinemasë është në zi pas lajmit për ndarjen nga jeta të aktorit të njohur neozelandez Sam Neill. Ylli i shumë filmave të suksesshëm u shua në moshën 78-vjeçare, ndërsa lajmi u konfirmua nga familja e tij përmes një deklarate të publikuar në profilin zyrtar të aktorit në Instagram.
Sipas familjarëve, Neill ndërroi jetë në Sydney të Australisë, i rrethuar nga njerëzit më të dashur. Edhe pse shkaku i vdekjes nuk është bërë publik, aktori kishte treguar më herët se kishte fituar betejën me një formë të rrallë të kancerit të gjakut, pasi ishte diagnostikuar në vitin 2022.
Në mesazhin prekës të familjes thuhet se ai u largua nga kjo jetë me dinjitet, ndërsa falënderohen edhe mjekët për kujdesin e treguar gjatë trajtimit. Familja kërkoi gjithashtu respektimin e privatësisë në këtë periudhë të vështirë.
Homazhe për aktorin ka bërë edhe kryeministri australian Anthony Albanese, i cili e cilësoi Sam Neill një ikonë të kinemasë australiane dhe ndërkombëtare. Ai vlerësoi forcën dhe dinjitetin me të cilin aktori përballoi sëmundjen, duke theksuar se kontributi i tij në ekran do të mbetet i paharruar.
Sam Neill u bë i njohur në mbarë botën me interpretimin e Dr. Alan Grant në filmin kult “Jurassic Park”, rol që e shndërroi në një nga figurat më të dashura të Hollivudit. Gjatë karrierës së tij më shumë se 50-vjeçare, ai luajti në mbi 150 filma dhe seriale, mes tyre “The Piano”, “The Hunt for Red October”, “The Tudors”, “Peaky Blinders”, “Event Horizon” dhe shumë produksione të tjera të vlerësuara nga publiku dhe kritika.
I lindur në vitin 1947 në Irlandën e Veriut dhe i rritur në Zelandën e Re, Sam Neill u nderua me titullin “Sir” për kontributin e jashtëzakonshëm në art dhe kulturë. Pas vetes ai lë katër fëmijë, gjashtë nipër e mbesa dhe një trashëgimi të jashtëzakonshme në historinë e kinemasë botërore.