Current track

Title

Artist

Supermodeli “alien” që humbi gjithçka

Written by on July 21, 2026

Për vite me radhë ishte një nga modelet meshkuj më të famshme në botë, bashkëpunoi me markat më prestigjioze dhe pozoi përkrah emrave më të mëdhenj të modës. Por pas suksesit të Hoyt Richards fshihej një histori tronditëse që i kushtoi karrierën, pasurinë dhe lidhjet me familjen.

Rrëfimi i tij vjen në dokumentarin e HBO-së “Breathing Through the Darkness”, ku ish-supermodeli tregon se si për më shumë se 20 vite ishte nën ndikimin e një sekti të udhëhequr nga Frederick von Mierers.

Gjithçka nisi kur Richards ishte vetëm 16 vjeç. Një takim i rastësishëm me von Mierers ndryshoi rrjedhën e jetës së tij. Me kalimin e kohës, ai u bind se kishte një mision të veçantë dhe nisi t’i besonte verbërisht udhëheqësit të sektit, duke u shkëputur gradualisht nga familja dhe miqtë.

Sekti, i njohur si “Eternal Values”, kontrollonte çdo aspekt të jetës së anëtarëve të tij. Ata duhej t’i bindeshin pa kushte udhëheqësit, të hiqnin dorë nga kontaktet me familjen dhe madje t’i dorëzonin edhe fitimet e tyre.

Në kulmin e famës, Richards punonte me stilisten Donna Karan, fotografohej nga Bruce Weber dhe pozonte pranë Cindy Crawford. Megjithatë, miliona dollarë të fituar nga karriera përfunduan në llogaritë e sektit. Sipas rrëfimit të tij, ai dhuroi mbi katër milionë dollarë gjatë dy dekadave që kaloi nën ndikimin e grupit.

Rënia e sektit nisi pas një investigimi të publikuar nga revista Vanity Fair, që zbuloi identitetin e vërtetë të udhëheqësit dhe metodat e manipulimit. Edhe pas vdekjes së tij, Richards qëndroi i lidhur me grupin deri në vitin 1999.

Kur vendosi të largohej, ai ishte pa kursime, me karrierën e shkatërruar dhe me pasoja të rënda psikologjike. Në atë periudhë, ndihmën më të madhe ia dha ish-supermodeli italian Fabio Lanzoni, i cili e strehoi dhe e ndihmoi të rindërtonte jetën.

Sot, në moshën 64-vjeçare, Hoyt Richards jeton në Los Angeles, punon si aktor dhe producent, ndërsa ndihmon njerëzit që largohen nga sektet. Historia e tij është kthyer në një dëshmi të fortë për rrezikun e manipulimit psikologjik, edhe kur je në kulmin e famës dhe suksesit.


Reader's opinions

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Current track

Title

Artist