FIFA thyen heshtjen për akuzat e Botërorit
Written by radio wave on July 23, 2026
FIFA ka reaguar zyrtarisht ndaj pretendimeve për manipulim të ndeshjeve gjatë Kupës së Botës 2026, duke deklaruar se nuk është gjetur asnjë provë që të mbështesë akuzat për kurdisje.
Polemikat nisën gjatë turneut, veçanërisht pas humbjes 3-2 të Egjiptit ndaj Argjentinës. Federata Egjiptiane e Futbollit kërkoi përjashtimin e ekipit të arbitrave që drejtoi sfidën, ndërsa trajneri Hossam Hassan akuzoi publikisht FIFA-n se po favorizonte Lionel Messin për ta mbajtur në garë.
Megjithatë, shefi i arbitrave të FIFA-s, Pierluigi Collina, i hodhi poshtë këto deklarata, duke i cilësuar si akuza pa bazë dhe duke mbrojtur profesionalizmin e gjyqtarëve.
Në deklaratën zyrtare, FIFA bëri të ditur se Grupi i Punës për Integritet, i përbërë nga përfaqësues të FIFA-s, FBI-së, INTERPOL-it, Zyrës së OKB-së për Drogën dhe Krimin, Këshillit të Evropës dhe organizatave ndërkombëtare të monitorimit të basteve, analizoi në kohë reale të gjitha ndeshjet dhe tregjet e basteve gjatë turneut.
Sipas raportit përfundimtar, nuk u identifikua asnjë aktivitet i dyshimtë në bastore dhe asnjë element që të tregonte manipulim të rezultateve. FIFA theksoi se të gjitha informacionet u verifikuan dhe u shkëmbyen mes institucioneve pjesëmarrëse sipas protokolleve të integritetit.
Menaxheri i Integritetit në FIFA, Liam Rich, deklaroi se modeli i bashkëpunimit mes organizatave ndërkombëtare rezultoi i suksesshëm dhe do të vazhdojë të përdoret edhe në kompeticionet e ardhshme, përfshirë Kupën e Botës për Femra.
Me këtë deklaratë, FIFA synon t’u japë fund spekulimeve që shoqëruan edicionin e parë të Botërorit me 48 skuadra, turne që u fitua nga Spanja pas triumfit në finalen ndaj Argjentinës.