Sam Smith i jep fund thashethemeve, zbulon fejesën
Written by radio wave on July 30, 2026
Sam Smith ka konfirmuar zyrtarisht se është fejuar me stilistin e njohur Christian Cowan, duke i dhënë fund spekulimeve që kanë qarkulluar prej kohësh për marrëdhënien e tyre.
Lajmin e bukur artisti britanik e bëri të ditur në një intervistë për The New York Times, vetëm pak javë përpara publikimit të albumit të tij të pestë, “Hazel Eyes”. Titulli i albumit është frymëzuar nga ngjyra e syve të partnerit të tij, ndërsa vetë Smith zbuloi se projekti i ri është më personal se kurrë.
Këngëtari tregoi se kënga hapëse, “Everlasting Love”, nisi të shkruhej vetëm një natë përpara takimit të parë me Christian Cowan. Sipas tij, ndryshe nga albumet e mëparshme, këtë herë frymëzimi vjen nga një histori dashurie e lumtur dhe e ndërsjellë.
Sam Smith dhe Christian Cowan u panë për herë të parë së bashku në fund të vitit 2022, ndërsa lidhjen e bënë publike në Met Gala 2024, ku parakaluan për herë të parë si çift në tapetin e kuq. Ata u rikthyen së bashku edhe në edicionin e këtij viti, me veshje të dizajnuara nga vetë Cowan.
Edhe pse ka preferuar gjithmonë ta mbajë jetën private larg vëmendjes mediatike, Sam Smith këtë herë ka zgjedhur ta ndajë vetë lajmin, duke konfirmuar se po përgatitet të nisë një kapitull të ri, si në jetën personale, ashtu edhe në karrierën artistike.