Pranohet skandali në Botërorin 1998
Written by radio wave on August 4, 2026
Një deklaratë e re e ish-ministres franceze të Sportit, Marie-George Buffet, ka rikthyer në qendër të debatit suksesin historik të Francës në Kupën e Botës 1998.
Në dokumentarin “Zidane, Fabrika e Legjendave”, ajo pranoi se autoritetet kishin pezulluar kontrollet e paparalajmëruara të dopingut për lojtarët e kombëtares franceze deri në përfundimin e turneut, me qëllim që ekipi të mos pengohej gjatë përgatitjeve dhe garës.

Ky rrëfim bie ndesh me dëshminë që Buffet kishte dhënë në vitin 2013 para Senatit francez, kur kishte mohuar kategorikisht se ishte dhënë një urdhër i tillë. Tashmë ajo pranon se kontrollet u ndërprenë pas reagimeve të forta që shkaktuan testimet e kryera gjatë grumbullimit të kombëtares në Tignes, ku të gjitha analizat rezultuan negative.
Në dokumentar flet edhe ish-mjeku Alain Garnier, i cili ishte dërguar nga Ministria e Sportit për të mbikëqyrur procesin. Ai pretendon se urdhri për të mos kryer më kontrolle iu dha vetëm gojarisht dhe se vendimi kishte ardhur nga nivelet më të larta të qeverisë franceze.
Rrëfimi i ri ka hapur sërish diskutime mbi mënyrën se si u menaxhua kombëtarja franceze në prag të Botërorit të vitit 1998, një turne ku Franca, e udhëhequr nga Zinedine Zidane, fitoi trofeun për herë të parë në histori pas triumfit në finale ndaj Brazilit.