Shitja që ngriti dyshime: Partnerja e Foden bën lëvizjen e papritur
Written by radio wave on August 10, 2026
Rebecca Cooke, partnerja e futbollistit Phil Foden, është kthyer në qendër të vëmendjes pasi ka nxjerrë në shitje fanellat e kombëtares së Anglisë në platformën Vinted, vetëm pak kohë pasi u konfirmua se mesfushori nuk do të jetë pjesë e skuadrës për Botërorin 2026.
Sipas mediave britanike, Cooke ka vendosur në shitje fanellën e bardhë dhe atë të kuqe të Anglisë, duke i ofruar për rreth 81 euro secilën. Veprimi ka nxitur menjëherë komente në rrjet, me shumë që e kanë interpretuar si një reagim simbolik ndaj përjashtimit të Foden nga lista e trajnerit Thomas Tuchel.

Fanellat kishin pësuar edhe një modifikim estetik në pjesën e belit, një stil që thuhet se është përdorur edhe nga bashkëshortja e Ollie Watkins. Megjithatë, kjo nuk ishte e vetmja shitje në profilin e Cooke, e cila ka publikuar mbi 100 artikuj, përfshirë edhe disa fanella të Manchester City.
Një burim i cituar nga tabloidet britanike ironizoi situatën, duke lënë të kuptohet se Rebecca mund të mos kishte planifikuar më t’i mbante fanellat e Anglisë pas zhvillimeve të fundit.
Nga ana tjetër, Phil Foden ka zgjedhur të fokusohet te rikthimi në formën më të mirë. Pas një sezoni të vështirë me Manchester City, mesfushori tha se periudha larg futbollit i shërbeu për të kaluar më shumë kohë me familjen dhe për t’u rikuperuar, ndërsa synimi i tij tani është të rikthehet si një nga liderët e skuadrës dhe të luftojë për trofe në sezonin e ri.